Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Fondi i pensioneve është një manovër elektorale e qeverisë, jo zgjidhje për pensionistët


Një ditë pas miratimit të buxhetit në parim, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi një seancë ku u debatua mbi propozimin e kryeministrit për krijimin e një fondi special për pensionet. Propozim që u përball me kritika të forta nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e cilësoi këtë skemë si një lëvizje elektorale dhe momentale, pa një plan të qëndrueshëm për të adresuar sfidat reale të skemës së pensioneve.

Tabaku ngriti shqetësimin për rritjen kumulative të çmimeve, duke theksuar se “nga viti 2013 e deri më tani, çmimet kumulative janë rritur me 55%, duke e bërë Shqipërinë vendin me inflacionin më të lartë në Europë.” Ajo vuri në dukje se ndërkohë që çmimet rriten, fuqia blerëse e shqiptarëve, sidomos pensionistëve, është ndër më të ulëtat në kontinent.

“Pensionistët shpenzojnë 50% të të ardhurave të tyre për ushqimet bazike dhe pjesën tjetër për energjinë, ujin dhe ilaçet, të cilat shpesh nuk janë të rimbursueshme. Kjo situatë po i shtyn ata drejt varfërisë ekstreme”, tha Tabaku.

Duke ironizuar premtimet e qeverisë, Tabaku tha: “Kryeministri premtoi një rritje 5% të pensioneve, por kjo nuk ndodhi. Ndërkohë që ai flet për inteligjencën artificiale, pensionistët përballen me një krizë konsumi gjithnjë e më serioze”.

Tabaku akuzoi qeverinë si promotoren kryesore të informalitetit, duke theksuar se rritja e pagës minimale ka qenë një barrë për punëdhënësit dhe nuk ka sjellë përmirësime reale në skemën e pensioneve. Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e një strategjie të qartë në luftën kundër informalitetit, duke theksuar se aksionet momentale nuk adresojnë problemin në thelb.

Duke iu referuar të dhënave nga Eurostat, Tabaku deklaroi se shqiptarët sot paguajnë 20% më shumë për produktet bazike të shportës sesa dhjetë vite më parë, ndërkohë që fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm.

Tabaku bëri thirrje për krijimin e një fondi të përhershëm për pensionet, duke theksuar se ai nuk duhet të përdoret si një manovër elektorale, por të jetë një mekanizëm i qëndrueshëm që adreson sfidat demografike dhe ekonomike të vendit.

Ajo theksoi se “në vend që fondet të përdoren për inceneratorë dhe projekte korruptive, ato duhet të ridrejtohen për të siguruar një jetë më dinjitoze për pensionistët”.

Deputetja e PD-së kërkoi që shqetësimet e ngritura nga opozita të merren seriozisht, duke theksuar se skema aktuale e pensioneve ka nevojë për ndryshime rrënjësore dhe politika afatgjata, jo thjesht masa të përkohshme për qëllime elektorale.

Ky debat i nxehtë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave vjen në një kohë kur çështja e pensioneve është bërë një ndër temat më të diskutuara, duke reflektuar shqetësimet e thella të qytetarëve për një sistem të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Teksti plotë nga fjala në Komisionin Ekonomisë dhe Financave:
Disa prej nesh kishim kohë që diskutonim për të pasur një mundësi për të shkëmbyer shqetësime për pensionet. Është një çështje populiste dhe është bërë e tillë, ka ardhur si rezultat i faktit që rritja e çmimeve i ka rënduar pensionistët, sidomos 7 vitet e fundit dhe ka ulur fuqinë e tyre blerëse.

Është fakt që çmimet kumulative, sidomos në shportën e ushqimeve, kanë ndikuar tek kjo shtresë. Ka ndryshuar njëkohësisht dhe lista e barnave të rimbursueshme që është një shpenzim shtesë.

Unë kam shkuar pafund me qytetarë pensionist që më thonë që ka shpenzime shtesë dhe ky elementë.

Të mos diskutojmë pastaj për kosto energjie, kosto jetese dhe ky indeksim, që për mua nuk është as i tillë, e ka bërë jetesën e pensionistëve shumë të vështirë.

Rritja kumulative e çmimeve sipas grafikëve ka qënë shumë më e lartë sesa e çmimeve dhe ka një diferencë shumë të madhe. Nuk jam deputete për herë të parë të besoj që atë që nuk u bë në 2021, ta bëni tani.

Premtuat që do kishit një rritje 5% pensionesh, kjo nuk ndodhi.

Megjithëse keni deklauar për çdo buxhet që “ky është buxheti më i madh, më i mirë… këtu ka më shumë fonde për pension”, kemi folur për pensionet që në 2014 kur ishte reforma, për heqjen e tavanit edhe elementë të tjerë, por ne ngritëm shqetësimin dhe thamë çfarë do të zgjidhet me problematikën e para dhe pas 93. Si do të trajtohet?

Dhe thatë pak mëparë që kemi kuptuar që ka një problem. Si zgjidhet problematika para dhe pas 2014, vija ndarëse ku ndryshon filozofia? Si zgjidhet problematika e fshatit?

Ka një informalitet shumë të lartë në fshat dhe sipas shifrave që sjell vetë qeveria janë 72.000 kontribues në fshat ndërkohë që janë 420.000 persona të regjistruar.

Do e përshëndesja shumë krijimin e një fondi për pensionet, që të jetë i qëndrueshëm në kohë, por ky është one of. E kam dëgjuar qeverinë që ka premtuar të njëjtën gjë me naftën e Shell-it që nuk erdhi asnjëherë.

Të njëjtën gjë tha qeveria dhe me taksën e energjisë, 80 Mln. Janë gjëra që kemi vite që po i diskutojmë dhe nëse këto ndodhin vetëm 1 herë në vit elektoral, sigurisht që ndodhin për qëllime elektorale.

Jam kundër fondit special, ekziston vetëm tek pronat sepse ka një ligj dhe strukturë të tillë. Fondi i pronave nuk zbatohet jo për arsyje teknike, por sepse qytetarërt janë kundër konceptit që të heqin dorë nga prona e tyre dhe të marrin në këmbim vetëm 20%. Fondet speciale krijojnë një precedentë të rrezikshëm në buxhet, siç e krijoi koorporata e investimeve dhe çdo formë tjetër që del jashtë llogjikës buxhetore dhe administrimit të financave publike.

Ka pasur një rritje të kontributeve pothuajse 60% që vjen si rezultat i rritjes së pagës minimale dhe rritjes së llogaritjes për pagën maksimale po të kontributeve.

Kam lexuar të gjithë komentet dhe në strategjinë afatmesme të të ardhurave që qeveria ka deklaruar, të cilët dhe bizneset janë kundër rritjes së pagës maksimale sepse thonë efekti i vetëm është rritja e kontributeve, nuk është kjo zgjidhja. Po ia kalojmë barrën punëdhënësve, ky është koncept i gabuar.

Ju thatë që çdo vend i BE-së ka një koncept minimumi 20 vite, ndërkohë shembulli i Italisë e ka me 13 muaj përfitimin e pensionit social. Nëse ekziston vullneti politik, gjendet një mënyrë përsa i përket marrjes së pensionit social apo një lloj tjetër forme kontributi.

Përsa i përket retorikës së ditëve të fundit lidhur me luftën kundër informalitetit, që kjo luftë të ndodh nuk duhet të jetë me aksione. Ka pasur 8 aksione si TVSh-ja e biznesit të vogël, karburanti … sepse pas çdo aksioni të tillë, ka pasur një rënie në të ardhura pasi nuk jeton biznesi me aksione. Për të luftuar informalitetin duhen shumë elementë të tjerë.

U përmend dhe faktori demografik, plakja e popullsisë, emigracioni që kanë ndikuar në skemën e pensioneve, ndikon dhe klima e të bërit biznes, ka mungesë transparencë lidhur me ndryshimet në ligjin e taksave dhe përsa i përket shpenzimeve buxhetore, ka politika dhe barra fiskale në nivel kombëtar dhe vendor.

Janë të paktën 35 pagesa të ndryshme të tarifave për inspektoriate, licensa, leje … që paguhen nga një biznes dhe një biznesi i duhen 250 orë që të angazhohet për to. 37% sot e fitimit merret me këto lloj taksash.

Kështu luftohet informaliteti, duke i bërë një analizë të plotë, jo duke u sulur pas bizneseve se përse ato përdorin një hapësirë që jua keni dhënë ju me ligj për 1 Lekë më shumë apo më pak ata kalojnë nga një nivel taksimi në një tjetër. Kjo qartësi e politikës fiskale lufton informalitetin.

Sistemi i apelimit nuk është i besueshëm, as sistemi i ankimimit.
Në momentin që merret qeveria me këto probleme, fillon dhe merret dhe me informalitetin. Përsa ekziston një sistem i tillë, ky sistem do ta nxisi informalitetin dhe nxitësi më i madh është qeveria.

Inflacioni i produkteve të shportës në Shqipëri pati një rritje më të madhe, jo vetëm në vendet e rajonit por dhe krahasuar me ato të BE-së. Dhe nëse atje janë rikthyer në nivelin e mëparshëm të çmimeve, sot neve e marrim për të mirëqënë këtë nivel çmimesh dhe ky është një shqetësim, e kanë bërë më të vështirë jetësën .

Është i nevojshëm krijimi i një fondi permanent për pensionet, duke pasur parasysh dhe sfidat demografike, jo vetëm në vite elektorale apo sepse ata po ngrihen dhe ka presion.

Ky duhet të jetë një fond i përhershëm, jo në llogari speciale. Të ndryshojmë prioritetet, ashtu siç tha dhe z. Gjiknuri për inceneratorët. Nëse ekziston vullneti politik, ashtu siç po bëhet tani për zgjedhjet, të bëhet çdo vit.

Jam për një ndryshim i cili të jetë i përhershëm. Skemat one of nuk funksiojnë siç nuk kanë funksionuar as në të shkuarën.
Shpresoj që problematikat që ngre opozita të merren parasysh pasi dhe skema që u diskutua në 2014 kishte problematik që ishte e njëanshme.

Të gjitha skemat të cilat prekin më shumë se 2 mandate të një qeverie duhet të jenë të përbashkta.