Vendosni fjalën kyçe....

Meta letër Kryesisë: Protestoni sistematikisht para SPAK-ut


Në një deklaratë të gjatë drejtuar Kryesisë së Partisë së Lirisë, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, si dhe qytetarëve shqiptarë, Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj vendimit të gjykatës për vazhdimin e masës së arrestit me burg ndaj tij.

Ai e ka cilësuar këtë vendim si një “skenar të orkestruar nga SPAK dhe Edi Rama”, duke akuzuar institucionet për politizim dhe shkelje të të drejtave kushtetuese. 

Meta pretendon se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht dhe është pjesë e një përpjekjeje për të goditur opozitën dhe të drejtën për zgjedhje të lira.

Ai ka sulmuar ashpër SPAK-un dhe prokurorët që po hetojnë çështjen, duke i cilësuar si “kamikazë të kohës së Sigurimit të Shtetit” dhe duke i akuzuar për manipulime dhe intimidime. 

Presidenti i Partisë së Lirisë ka bërë thirrje për organizimin e protestave paqësore në mënyrë të rregullt përpara zyrave të SPAK-ut, për të denoncuar atë që ai e cilëson si manipulim të drejtësisë dhe për të zbuluar “skandalet e mëdha të Edi Ramës”.

Ai theksoi gatishmërinë e tij për t’u përballur me drejtësinë, duke theksuar se nuk ka ndërmend të shmangë hetimet apo të arratiset. Meta përmendi gjithashtu angazhimin për të afirmuar “5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus”, duke i konsideruar këto si bazë për veprimet e mëtejshme të Partisë së Lirisë.

Në përmbyllje të deklaratës, Ilir Meta nënvizoi se kjo betejë është një provë për secilin prej tyre dhe për të ardhmen e vendit, duke shprehur besimin se do të triumfojnë për të mbrojtur të drejtat dhe demokracinë në Shqipëri.