Ditën e nesërme, drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe do të prezantohet për herë të parë dhe do të hidhet në konsultim të gjerë publik.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe, ku u diskutua për sfidat dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në epokën moderne.
Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës nga ndikimet negative dhe përdorimi i pakujdesshëm, duke i cilësuar rrjetet sociale si një nga sfidat kryesore.
“Sot më vjen mirë se si pjesë e kësaj rezistence mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket gjuhës së prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që më në fund përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave.
Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori.
Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produktet të përbashkëta të një rezistence të domosdoshme dhe një përpjekje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm se jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarë lloj injorantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale. Por e kemi detyrim, të jemi në mbrojtje dhe të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”, tha Rama.