Kur një banane e ngjitur me shirit në një mur u shit për 120,000 dollarë në 2019-ën, paso një zhurmë e madhe në mediat sociale dhe një debat i vjetër rreth kuptimit të artit.
Por vepra virale e artistit Maurizio Cattelan, e titulluar “Komediani”, ka dëshmuar një investim të shëndoshë për një koleksionist. Një nga tre “edicionet” e veprës së artit arriti të shitej për 6.24 milionë dollarë në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork të mërkurën.
Shtëpia e ankandeve kishte vlerësuar se vepra do shkonte nga 1 milion deri në 1.5 milion dollarë.
Gjatë shitjes, drejtuesi i ankandit Oliver Barker e përshkroi veprën si “ikonë” dhe “polemizuese”, ndërsa bëri shaka se shitja e një bananeje në ankand ishin “fjalë që nuk kisha menduar kurrë se do i thoja”.
Menjëherë pas shitjes, Sotheby’s zbuloi se Justin Sun, një koleksionist kinez dhe themelues i një platforme kriptomonedhash, ishte blerësi i veprës.
“Kjo nuk është vetëm një vepër arti,” tha Sun në deklaratën për shtyp.
“Ajo përfaqëson një dukuri kulturore që lidh botën e artit, memeve dhe komunitetit të kriptomonedhave. Besoj se ajo do frymëzojë më shumë mendim dhe diskutim në të ardhmen dhe do të bëhet pjesë e historisë.”
Si fitues i ankandit, ai do marrë një rrotull shiriti ngjitës dhe një banane, si dhe një certifikatë autenticiteti dhe udhëzime për instalimin e veprës.
Cattelan dhe galeria franceze e artit “Perrotin” bënë bujë në mbarë botën pesë vjet më parë kur shfaqën “Komedianin” me një çmim gjashtëshifror në panairin “Art Basel Miami Beach”. Origjinali u krijua duke përdorur një banane të blerë në një dyqan ushqimesh në Miami, megjithëse galeria tha se mund të zëvendësohej, sipas udhëzimeve të artistit.