Përfundon marshimi sensibilizues për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani para Ministrisë së Arsimit, ku qytetarë, prindër dhe nxënës kërkuan drejtësi dhe masa konkrete për të parandaluar ngjarje të tilla. Protesta nisi nga shkolla “Fan Noli”, ku Martini ishte nxënës, dhe u zhvillua nën moton “Prindërit në protestë për sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”.
Pjesëmarrësit mbajtën pankarta me mesazhe prekëse si: “Martin Cani, një fëmijë më pak, një dështim më shumë”, “Heshtja jonë po na vret fëmijët”, dhe “Një yll u shua, mos e lini natën pa yje”. Protesta u shoqërua me fjalime të shkurtëra nga qytetarët, përfshirë familjarët e viktimës dhe figura publike, të cilët akuzuan institucionet për mungesë veprimi dhe përgjegjësie.
Nëna e Martinit, përmes një mesazhi prekës të lexuar nga një protestuese, falënderoi të gjithë ata që i qëndruan pranë dhe kërkoi që askush të mos përjetojë dhimbjen e saj. “Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja. Uroj që asnjë prind të mos përjetojë një dhimbje të tillë,” shprehej ajo.
Tezja e viktimës dhe prindër të tjerë kërkuan veprime konkrete nga institucionet dhe theksuan domosdoshmërinë e edukimit për të parandaluar dhunën. “Ne e çuam në shkollë, jo në luftë që të na e therin. Duam drejtësi,” tha tezja e Martinit.
Edhe shokët e klasës së Martinit 14 vjeç që humbi jetën pasi u godit me thikë nga shoku i tij i shkollës ‘Fan Noli” iu bashkuan protestës.
Një nga shoqet e klasës së 14-vjeçarit Martin Cani, gjatë marshimit ngriti shqetësimin për mungesën e sigurisë dhe përpjekjet e drejtuesve të shkollës për të minimizuar ngjarjen, duke vijuar normalisht procesin mësimor në vend të ofrimit të mbështetjes shpirtërore dhe ndërgjegjësimit kundër dhunës.
“Ne kemi humbur një shok që e kemi pasur për 9 vite në klasë. Na ka lënduar thellë. Atë ditë që e humbëm shkonim dhe qanim tek njëri tjetri. Në vend që të jemi të lumtur jemi të frikësuar për sigurinë që nuk gjejmë në shkollë.
Ne shikonim në shkollë njerëz që vinin me thika e shisnin mend për të treguar se jemi të fortët. Ku është siguria nga shkolla, oficerja, drejtoresha. Unë kam, një motër të vogël në shkollë.
Frika që unë kam për atë dhe veten time është e thellë. Kemi humbur një shok të zemrës.”
Ndërkohë, qytetarë dhe figura publike si aktori Mehdi Malkaj kritikuan gjendjen e arsimit dhe cilësinë e mësuesve. Malkaj denoncoi mungesën e vëmendjes nga autoritetet dhe kërkoi ndryshime të menjëhershme.