Vendosni fjalën kyçe....

“Konsultimet janë farsë”, Bardhi: Dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve


Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi shprehet se konsultimet e presidentit Bajram Begaj me partitë politike për datën e zgjedhjeve janë farsë dhe se Rama e Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve e ky i fundit pret vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.

Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.

Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.

Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!