Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhra arresti për Netanjahun dhe Gallant-in


Gjykata Ndërkombëtare Penale (GNP) ka refuzuar ankimimet e Izraelit ndaj juridiksionit të saj dhe ka lëshuar urdhërarresti per Netanyahu dhe Gallant gjithashtu një urdhër arresti për një zyrtar të lartë të Hamasit.

Kryeprokurori i saj kishte kërkuar arrestimet për krime lufte në Gaza.

Të enjten, GNP lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe ish-ministrin izraelit të mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Rripin e Gazës.

Karim Khan, kryeprokurori i gjykatës, kishte kërkuar urdhrat e arrestimit në maj për dy zyrtarët izraelitë, së bashku me tre zyrtarë të lartë të Hamasit. Izraeli ka kundërshtuar ashpër akuzat e gjykatës, që përfshijnë përdorimin e urisë si armë lufte dhe “sulm të qëllimshëm ndaj popullsisë civile.”

Gjykata të enjten lëshoi gjithashtu një urdhër arresti për Muhamed Deif-in, shefin ushtarak të Hamasit, për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë vrasje, marrje pengjesh dhe dhunë seksuale.

Në gusht, Izraeli pretendoi se kishte vrarë Deif-in. Khan kishte kërkuar gjithashtu urdhra arresti për Yahya Sinwar, liderin e Hamasit në Gaza, dhe Ismail Haniyeh, një tjetër figurë e lartë e grupit militant, të cilët më vonë u vranë nga Izraeli.

Këto urdhra shtuan rënien e legjitimitetit të Izraelit në arenën ndërkombëtare, ku ai është përballur me një dënim gjithnjë e më të ashpër për mënyrën e tij të luftës kundër Hamasit në Gaza. Izraeli ngul këmbë se lufton në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës.

Gjykata lëshoi të enjten një urdhër arresti për vetëm një zyrtar të Hamasit — jo për tre, siç ishte kërkuar fillimisht nga kryeprokurori në maj, pasi dy prej tyre janë vrarë që atëherë.

Karim Khan kërkoi urdhrat pas hetimeve për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023 dhe bombardimin e mëpasshëm dhe pushtimin e Gazës nga Izraeli.

Në maj, Khan i kërkoi gjykatës të lëshonte urdhra për liderin kryesor të Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar; liderin politik të tij, Ismail Haniyeh; dhe shefin ushtarak, Muhamed Deif.

Ai i akuzoi ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për vrasjen e civilëve dhe kapjen e pengjeve gjatë sulmit të tetorit 2023, si dhe për keqtrajtim dhe dhunë seksuale ndaj pengjeve gjatë mbajtjes së tyre në Gaza.

Këto kërkesa synonin miratimin e gjykatësve të GNP-së, gjykata më e lartë penale në botë. Ky proces zgjati disa muaj. Ndërkohë, Haniyeh u vra në kryeqytetin iranian, Teheran, në korrik, një vrasje që i atribuohet gjerësisht Izraelit. Gjykata më pas njoftoi se kishte ndërprerë procedurat kundër tij. Dhe forcat izraelite vranë Sinwar-in gjatë një përleshjeje në Gaza në tetor.

Sa i përket Deif-it, Izraeli pretendoi se e kishte vrarë në një sulm ajror në Gaza në tetor.

Të enjten, gjykata deklaroi se “nuk është në gjendje të përcaktojë nëse Deif është vrarë apo vazhdon të jetë gjallë,” dhe për këtë arsye lëshoi urdhrin për arrestimin e tij.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times