Kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetin social X tha se Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave.
Pas kësaj, të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
”Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025.
Miliona e miliona euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE.
Shqipëria bëhet pjesë e shtrirjes gjeografike #SEPA – një tjetër moment historik, duke dhënë frytin e përpjekjeve të përkushtuara dhe angazhimit të palëkundur nga qeveria, sektori financiar së bashku me partnerët tanë në një përpjekje të pakthyeshme për t’u përafruar në çdo aspekt me standardet dhe parimet evropiane. Nga fjalët tek veprat, integrimi i Shqipërisë në Evropë dhe sjellja e Evropës në Shqipëri”, shkruan Rama në X.