Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shprehur shqetësim për fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në komunën e Medvegjës.
Sipas Ministrisë, ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave, duke privuar komunitetin shqiptar nga qasja në shërbime bazë dhe nga ushtrimi i të drejtave të tyre themelore.
Pasivizimi i adresave nuk është një problem thjesht ligjor, por prek rëndë jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke kufizuar barazinë dhe të drejtat e tyre.
Ministria thekson se kjo çështje është trajtuar dhe do të vazhdojë të trajtohet në kuadër të dialogut me autoritetet serbe dhe në forume ndërkombëtare. Shqipëria mbetet e angazhuar për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të pakicave.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndjek me vëmendje fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë. Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore. Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre. Ministria ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave”-thuhet në deklaratën e MEPJ.