Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Gratë në politikë, janë më luftarake se burrat


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë një tryeze të organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, ka vënë në pah rolin e rëndësishëm të grave në politikë dhe kontributin e tyre në betejat politike të PD-së.

Bardhi theksoi se gratë janë shpeshherë më luftarake se burrat në mbrojtjen e interesit publik dhe se pa to në krye, asnjë betejë politike nuk mund të fitohet.

Deputeti demokrat u shpreh se angazhimi i grave në politikë mbetet i vështirë, veçanërisht nën regjimin aktual qeverisës. Megjithatë, ai vlerësoi vendosmërinë e tyre për të qëndruar dhe për të kontribuar për Shqipërinë.

Postimi i plotë:

Sot kisha kënaqësinë të përshëndesja Konferencën e organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas me temë “Pjesëmarrja e Suksesshme në Proceset Politike dhe Fitoren në Zgjedhje”, ku e pranishme ishte edhe znj. Margareta Cederfeldt, deputete suedeze, anëtare e Komitetit për Çështjet e Jashtme, kryetare e Delegacionit të IPU dhe Ish-Presidente e OSBE.

Gratë në politikë, shpesh janë më luftarake se burrat në mbrojtjen e interesit publik dhe pa zonjat në krye, asnjë betejë politike nuk mund të fitohet. 

DISA MESAZHE QË PËRCOLLA GJATË KËTIJ AKTIVITETI:

Shikoj që në sallë ka zonja, gra dhe vajza, të cilat tashmë kanë një jetë që janë aktive në Partinë Demokratike, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë parti. I kam parë shpesh në aksionet politike të Partisë Demokratike, ku në shumë raste janë më aktive sesa vetë burrat.

Kjo ndodh sepse, sipas këndvështrimit tim, çdo parti politike që synon të ketë sukses në çdo garë apo aksion politik, duhet t’i ketë zonjat në ballë, në krye, aty ku e meritojnë.

Eksperienca ime e shkurtër, jo shumë e gjatë në politikë, më ka mësuar një gjë: atë që arrijnë zonjat në aktivitete, aksione apo fushata, ne burrat ndonjëherë e kemi të vështirë ta bëjmë. Prandaj, nëse duam të kemi sukses në sfidat që na presin pas disa muajsh, zotimi që Sekretari i Përgjithshëm mori sot përpara jush duhet të jetësohet.

Ky zotim nuk duhet të jetësohet thjesht si kuotë gjinore – një betejë që Albana dhe koleget e saj të nderuara në parlament e kanë zhvilluar gjatë miratimit të Kodit Zgjedhor – por duhet të jetësohet sepse roli juaj është i pazëvendësueshëm.

Personalisht, kam pasur fatin që gjatë kësaj kohe të drejtoj një grup parlamentar që ka më shumë zonja sesa ka pasur ndonjëherë më parë grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm tha që pjesëmarrja e grave e bën politikën më paqësore. Unë, nga ana tjetër, kam parë shpesh që zonjat e grupit tonë parlamentar kanë qenë më luftarake sesa shumë burra brenda grupit. Kjo do të thotë se sa më shumë zonja të kemi në grupin e ardhshëm parlamentar, aq më fuqishëm do të luftojmë të gjithë së bashku për të mbrojtur interesin publik.

Angazhimi në politikë nuk është i lehtë për zonjat. Veçanërisht, angazhimi juaj gjatë këtyre 12 viteve, për shkak të regjimit të Edi Ramës, ka qenë shumë i vështirë. Kam takuar mësuese, mjeke dhe zonja punonjëse në administratë që angazhohen në Partinë Demokratike, dhe që më tregojnë se si, edhe në vitin 2024, vijojnë të intimidohen dhe të përndiqen, vetëm sepse angazhohen në politikë dhe janë pjesë e Partisë Demokratike.

Por, ndonëse flasin për intimidimin, presionin apo përndjekjen që u bëhet çdo ditë, në çdo bisedë me to shoh vendosmërinë për të vazhduar përpara, për të qëndruar, për të sakrifikuar dhe për të bërë më të mirën, sigurisht për Partinë Demokratike, por mbi të gjitha për Shqipërinë.