Në samitin Cop29 në Baku, vendet e pasura ranë dakord të rrisin financimin global për të ndihmuar vendet në zhvillim në përballimin e krizës klimatike në 300 miliardë dollarë në vit.
Ky propozim vjen pas refuzimit të ashpër nga vendet në zhvillim ndaj ofertës fillestare prej 250 miliardë dollarësh, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshme.
Sipas burimeve, Bashkimi Evropian dhe vende si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia shprehën gatishmëri për këtë rritje në këmbim të ndryshimeve në tekstin përfundimtar të marrëveshjes, përcjell The Guardian.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka ndërmarrë përpjekje diplomatike për të rritur financimin, ndërsa disa vende si Japonia dhe Zvicra mbeten rezistente ndaj shifrës së re.
Edhe pse 300 miliardë dollarë përbëjnë një përmirësim, ato mbeten shumë larg kërkesave të vendeve në zhvillim, të cilat përballen me borxhe të larta dhe kërkojnë më shumë fonde si grante.
Aktivistët kanë theksuar se fondet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të trajtuar pasojat e ekstremeve klimatike dhe për të kaluar në ekonomi me karbon të ulët.
Ndërkohë, diskutimet janë komplikuar edhe nga çështje të tjera, përfshirë angazhimin për largimin nga lëndët djegëse fosile, një pikë që disa vende si Arabia Saudite po përpiqen ta zbehin në tekstet e propozuara.
Samiti pritet të zgjasë përtej afatit të planifikuar, ndërsa ministrat po përballen me presion për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.