Në mbledhjen e zhvilluar me drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Demokratike, lideri demokrat Sali Berisha ka kërkuar një mobilizim të jashtëzakonshëm qytetar më datë 26 nëntor, kur dhe do të mbahet protesta e radhës e opozitës.
Berisha tha se më datë 26 nëntor, ora 17:00, Tirana duhet të jetë në duart e qytetarëve dhe të qeverisë.
Po ashtu, Berisha i bëri thirrje ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha që mos të prekë protestuesit.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetje zoti Noka, zotërinj drejtues të PD të qarqeve. Kjo mbledhje e thirrur me urgjencë lidhet me protestën, me marshimin në Tiranë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me datën 26 nëntor, ora 5.
Koha në të cilën thirret jo protesta, por mosbindja civile, është e shkurtër. Por, revolta, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisë rritet me shpejtësi progresive nga java në javë. Zemërimi ndaj saj është i pandalshëm.
Në këtë kuadër mund të themi se protesta e datës 26 nëntor është një hap i vonuar.
Ndaj dhe kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë. Asgjë nuk ka më të pamëshirë se kohën dhe këtë duhet ta kemi të qartë secili nga ne
Kjo narkoqeveri nuk meriton asnjë minutë kohë të vetme. Sulmi dhe vetëm sulmi duhet të jenë qëndrimet tona. Të dashur miq, në një hark kohor të shkurtër, ka një përmbysje të plotë të qëndrimeve ndaj narkoshtetit shqiptar dhe PD-së.
Të mos harrojmë se sot, në spektrin botëror të qendrës së djathtë dhe të djathtë, Shqipëria përbën, pas zonave të luftës, problemin më madhor për shkak të narkoshtetit, për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira, të burgosjes së opozitës, të krijimit të sipërmarrjes qeveri-krim i organizuar, të plaçkitjes si asnjëherë më parë të qytetarëve, të zbimit të tyre nga Shqipëria.
Ky realitet dramatik shqiptar, i sanksionuar tashmë në dokumentet më themelore të CDI, organizatës më të vjetër të forcave politike të qendrës së djathtë që grupon 109 parti nga mbi 100 e ca vende të të gjithë planetit.
Sanksionimi në rezolutën e PPE, të miratuar në Maltë, i problematikave të mëdha me të cilat përballet Shqipëria, mbështetja e madhe, e jashtëzakonshme për demokratët dhe demokracinë, për opozitarët dhe opozitaret, duhet të jetë një frymëzim i madh për çdo qytetar shqiptar
Por jo vetëm një frymëzim, por edhe një detyrim madhor. Partitë simotra, 109 parti të CDI, 83 parti të PPE, dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme për PD-në dhe shqiptarët. Kjo kërkon që ne të bëjmë fuqishëm detyrën tonë. Ata presin nga ne përballjen më të suksesshme me narkodiktaturën.
Ata presin nga ne që këtë mbështetje të madhe dhe të merituar ta shndërrojmë në fuqi dhe frymëzim, në betejën tonë kundër narkoshtetit. Mosbindja civile e ditës së martë, marshimi në Tiranë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre.
Ndaj dhe, të nderuar drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë. Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narkodiktatura nuk ka të ardhme. Ajo mbahet tani nga organet e dhunës.
Në një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste, i ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit.
Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar. Edhe njëherë, i them përfaqësuesit, bastardit të familjes Hoxha dhe përfaqësuesit të bandës së Troplinëve, mos ndërse narkobanditë kundër qytetarëve se do paguash çmimin më të shtrenjtë.
Nuk mund të mbani pushtetin me banda. Jo dhe jo. Sirenat për narkodiktaturën në Shqipëri po bien në të katër anët e planetit. Është detyra jonë dhe ne do e përmbushim këtë detyrë. Ndaj dhe sipas planit të caktuar, Tirana në duart e qytetarëve të revoltuar.
Kemi tre ditë kohe, janë të mjaftueshme jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por për shqiptarët në të katër anët e dheut të vërshojnë drejt Tiranës. Nuk do zgjatem më shumë. Ju uroj suksese.
Të qëndrojmë në lartësinë e thirrjes së kohës.
Koha na thërret!
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë!
Faleminderit!