Një pikturë e René Magritte që përshkruan një peizazh rrugor me ndriçim të frikshëm u shit për më shumë se 121 milionë dollarë në një ankand të Christie’s në Nju Jork të marten, duke tejkaluar vlerësimin e saj prej 95 milionë dollarësh dhe duke thyer rekordin për veprat e artistit surrealist.
Si një nga pikturat më të mëdha në një varg prej 27 veprash të gjitha të titulluara “L’empire des lumières” (“Perandoria e dritës”), kanavaca e vitit 1954 është e njohur në mesin e ekspertëve të artit të shekullit të 20-të për shkallën, gjendjen e saj të pacenuar dhe hollësitë delikate.
Shtëpia e ankandeve e përshkroi veprën e artit si “xhevahirin e kurorës” të koleksionit të ish-pronares së saj, arredueses së ndjerë amerikane Mica Ertegun – një pjesë e të cilit doli në shitje të martën. Në ankand u shfaqën gjithashtu piktura nga gjigantë të tjerë modernë si Ed Ruscha dhe Max Ernst.
Vepra artistike përshkruan një shtëpi me një llambë të vetme rruge përpara. Flaka nga llamba ndriçon të gjithë kanavacën, duke përfshirë pemët e errëta – me ngjyrë pothuajse të zezë – në plan të parë, ndërsa pamja pasqyrohet qetësisht mbi një pellg uji. Mbi peizazhin e rrugës, një qiell blu i çelur i mbushur me re të bardha të fryra shtrihet në majë të kanavacës.
Piktura është vlerësuar për aftësinë e saj unike për të vënë përballë një peizazh nate dhe dritën e ditës – një motiv surrealist që Magritte e eksploroi në pikturat e tij të peizazhit për gati dy dekada.
Dy vepra të tjera të Magritte u përfshinë në shitje: pikturat “La cour d’amour” dhe “La Mémoire”, të cilat u shitën përkatësisht për 10.53 milionë dollarë dhe 3.68 milionë dollarë.