Në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, në vend janë raportuar 686 raste dhune ndaj grave dhe vajzave vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2024. Raporti thekson rritje të rasteve të denoncuara krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa Tirana, Durrësi dhe Korça kryesojnë listën e raportimeve, heshtja mbetet e theksuar në zona si Kukësi dhe Gjirokastra.
Në total, 1,019 gra dhe vajza kërkuan urdhër mbrojtjeje gjatë kësaj periudhe. Statistikat e vitit 2023 tregojnë gjithashtu një rritje të lehtë të dhunës krahasuar me vitet e mëparshme.
Disa nga rastet më të spikatura të dhunës së grave:
Bedrie Loka 41 vjeç nga Durrësi, i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë, pas një historie të gjatë dhune dhe presioni, ndër të cilat dyshohej edhe abuzim nga bashkëshorti.
Georgia Murati 41 vjeç, një shqiptare në Greqi, u vra brutalisht nga partneri i saj, ndërsa ishte shtatzënë. Trupi i saj u fsheh në një baule dhe autorët tentuan të zhduknin provat.
Shpresa Kreku 41 vjeç nga Berati, humbi jetën pasi konsumoi fostoksinë.
27-vjeçarja Sibela Abedini u vetëvra pas shantazheve nga personazhi i TikTok, Altin Çoku.
Në Konispol, një burrë 69-vjeçar vrau gruan e tij me sëpatë.
Këngëtarja e njohur “MAYA”u pajis me urdhër mbrojtje nga Gjykata e Tiranës, për shkak të dhunës nga bashkëshorti i saj.
Në Lezhë një 37 vjeçar, u arrestua pasi dhunoi bashkëshorten e tij, ndërsa në banesë iu gjet edhe një pistoletë që e mbante pa leje.
Më 7 tetor 2024, policia e Tiranë s arrestoi dy burra për dhunë në familje, 23 vjeçarin, banues në Tiranë, pasi ushtroi dhunë ndaj motrës së tij dhe 45 vjeçarin, banues po në Tiranë, pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjatë 13 viteve të fundit, 159 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri nga partnerët ose anëtarët e familjes, duke pasqyruar një krizë të thellë.
Dhuna ndaj grave është një problem global. OKB vlerëson se deri në 70 për qind e grave vuajnë nga dhuna seksuale, fizike ose psikike të paktën një herë në jetën e tyre. Dita e 25 Nëntorit konsiderohet si ditë aksioni kundër dhunës ndaj grave dhe kërkon të tërheqë vëmendjen kudo në botë për dhunën ndaj tyre.
Synimi është denoncimi i dhunës në familje, si edhe dhuna kundër gruas në luftëra apo kur janë në arrati. Protesta e grave sot drejtohet kundër abuzimit dhe përdhunimit, kundër martesave të detyruara dhe prostitucionit të detyruar.
Në vitin 2022, 48.800 gra në botë prej tyre u shuan nga kjo dhunë, sipas OKB.