Vendosni fjalën kyçe....

“Jam qëlluar nga dy persona me thikë, të bëhet ekspertiza” – 14-vjeçari i plagosur dëshmon nga spitali


14-vjeçari Luis Meçe ka dëshmuar nga shtrati i spitalit lidhur me ngjarjen e rëndë të 18 nëntorit ku shoku i tij Martin Cani u vra me thikë nga bashkësmoshatar Mario Përlleshi pas një sherri pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Në një intervistë për Euronews Albania, i mituri ka pohyar se gjatë sherrit përveç Përlleshit kanë qenë të pranishëm edhe dy persona të tjerë, me njërin prej tyre që e ka goditur në shpinë.

“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marios, një djalë me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pashë që Mario kishte nxjerr thikën dhe po godiste Martinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pash kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prap pash që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zemër.  Vura dorën përpara. Thika më preku vetëm pak zemrën. Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pashë që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë. Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë sa njërit ia përplasa kokën te hekuri. Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit.” – tha Luisi.

Luisi bëri thirrje që të shkojnë e të bëjnë ekspertizën te ai në spital, pasi ai pretendon se është qëlluar nga dy persona me thika të ndryshme.

Edhe i ati i Luis Meçes, ka pohuar në media se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me thikë ndërsa deri tani është arrestuar vetëm Përlleshi, ndërsa për tjetrin nuk është folur as në media ndërsa hedh dyshime mbi mospërmendjen e emrit të tij.

Sipas Fiqiri Meçes, personi i dytë që ka qëlluar me thikë po bëhet gati të largohet nga Shqipëria bashkë me familjen, tha ai në një intervistë për Top Channel.

“Luisi për momentin është një fazë rikuperimi, por mbetet ende në intubacion. Luisi është goditur katër herë në trup, një gërvishje ka marrë në dorën e majtë. Katër herë është goditur nga dy persona. Nuk është një autor vrasës, por janë dy autorë vrasës. Dua ta denoncoj para medias suaj, personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin pas shpine, është Kledion Bekaj. Kërkoj arrestim të shpejtë, sepse kam marrë vesh se ka marrë prindërit dhe do të largohet nga Shqipëria, ose është larguar. Kjo është deklaratë zyrtare nga policia. Bekaj është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit dhe të shkojë të dorëzohet vetë. Nëse nuk merren masa do të marrim ne në mënyrë private, siç e zgjidhën ata me fëmijët tanë”, tha babai i të plagosurit.