Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka përfunduar takimin konsultativ me presidentin Bajram Begaj, lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Gjatë një prononcimi për mediat teksa dilte nga Presidenca, Celibashi tha se i propozoi Begajt datën 11 maj të vitit të ardhshëm. Sipas tij është data optimale për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.
Gjithashtu edhe Partia Socialiste ka propozuar datën 11 Maj, por Ilirjan Celibashi sqaroi se nuk shikojnë axhendën politike, por duan kohë për t’u përgatitur për votimet.
“Për KQZ-në data optimale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është data 11 maj 2025.
Ne si institucion përgjegjës për përgatitjen e zgjedhjeve shohim datën 11, edhe pse kuptova që paska goxha diskutime për datat e mundshme, si datën e cila i krijon KQZ-së mundësinë për të përgatitur procesin e votimit nga jashtë në përputhje me të gjitha parashikimet.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me votimin nga jashtë ku u bënë mjaft vonë, në të njëjtën kohë kur ngeli diskutimi në KQZ për të përgatitur nga pikëpamja rregullatore këtë proces, natyrisht që na shtyn të nxisim Presidentin e Republikës të jetë data më e përshtatshme.
Ajo që ne konsiderojmë është thjesht dhe vetëm mundësia dhe koha që duhet në dispozicion për organizimin e zgjedhjeve.”
Më herët gjatë ditës së sotme, Begaj zhvilloi dhe një takim me përfaqësues të Partisë Socialiste. Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS tha pas takimit me Begajn se mazhoranca propozoi datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve.
PD zgjodhi të bojkotojë takimet me kreun e shtetit.
Javën e kaluar Begaj zhvilloi takime edhe me përfaqësuesit e partive të vogla.