Deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës janë shtyrë dhe rrahur mes vete gjatë seancës plenare të 25 nëntorit. Po ashtu në përleshje u përfshin edhe ministrat.
Në transmetimin e seancës parlamentare, zëri ishte i ndalur, kështu që nuk mund të dëgjohej se çfarë po i thoshin deputetët njëri-tjetrit, as nuk ishte e qartë se si nisi incidenti.
Por, gjatë transmetimit u pa se sigurimi i Parlamentit ndërhyri për t’i ndarë deputetët e pushtetit dhe opozitës, teksa ata po shtyheshin dhe po e godisnin njëri-tjetrin.
Deputeti opozitar nga Blloku i Majtë i të Gjelbërve, Radomir Llazoviç, tha për televizionin N1 se përleshjet nisën pasi ai tentoi të vendoste një fletë ngjitëse me mesazhin “Duart i keni me gjak” në sallën plenare, ku ulen ministrat. Ky mesazh është slogan i protestave që kanë mbajtur së voni.
Javët e fundit në Serbi janë mbajtur protesta për të kërkuar përgjegjësi penale dhe politike të autoriteve lidhur me një incident në Novi Sad.
Ai tha se pasi u “sulmua” nga ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, ai e shtyu ministrin. Llazoviç tha se pas kësaj “nisën përleshjet” në sallën plenare.
“Ne tentuam ta qetësonim situatën, ata ta sulmuan gjatë gjithë kohës, policia dhe SNS-ja së bashku”, pretendoi Llazoviç.
Sipas tij, disa deputetë kanë pësuar lëndime.
Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiç, u kërkoi deputetëve të kthehen në ulëset e tyre, në mënyrë që seanca plenare të mund të vazhdojë.
“Kjo është e turpshme për këtë institucion”, tha ajo.
Deputetët opozitarë njoftuan se do të bllokojnë punën e Parlamentit, pasi Bërnaqi refuzoi kërkesën e tyre për të caktuar një seancë ku do të diskutohej për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë serbe, pas incidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, kur 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni.
Opozita serbe po kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviç, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për ngjarjen në Novi Sad.
Një ekip shpëtimi inspekton zonën ku u shemb një pjesë e një strehe të një stacioni hekurudhor në Novi Sad, Serbi, 2 nëntor 2024.
Incidentet në Parlament nisën në momentin kur kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, dhe ministrat e Qeverisë serbe hynë në sallën plenare, ku do të paraqitej buxheti për vitin 2025.
Deputetët opozitarë ngritën pankarta ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”.
Ata gjithashtu shpalosën një pankartë me figurën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku duart e tij ishin me ngjyrë të kuqe.
Deputetët e pushtetit u përgjigjën duke ngritur fletë ku shkruhej “Llum i verdhë, korrupsioni dhe hajnia janë emri juaj i mesëm”.
Një pjesë e deputetëve opozitarë më pas u përpoqën të afrohen te ministrat.
Incidenti ndodhi gjithashtu edhe në galerinë e sallës së Kuvendit, ku siguria e Parlamentit ndërhyri po ashtu.
Në galeri, deputetët e pushtetit shpalosën një pankartë me shkrimin “Llumi i verdhë do luftë, Serbia do punë”. Po ashtu pati përleshje me deputetët e opozitës, të cilët tentuan të hiqnin pankartën.
Fjalimi i kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, u ndërpre nga opozita, të cilët krijuan zhurmë përmes pipave dhe vuvuzellave, teksa deputetët opozitarë mbajtën në duar pankarta ku shkruhej “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”./REL