Në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar pasditën e sotme seanca e posaçme, ku mbajti fjalën përshëndetëse, Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Markéta Pekarová Adamová.
Markéta Pekarová Adamová ishte ditën e sotme për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa gjatë fjalës së saj në Kuvend, ajo u shpreh se Çekia mbështet anëtarësimin e vendit tonë në BE.
‘Me rastin e vizitës sime zyrtare ka qëllimi im që nga dita që mora postin. Shqipëria nuk është vetëm një vend mik dhe aleatë, por është një shtet me një ekonomi në rritje të shpejtë. Ne e njohim rëndësisë e mbajtjes së dialogut të rregullt dhe kuptimplotë dypalësh dhe kjo është arsyeja pse jam e lumtur që vizitova Shqipërinë. Së bashku me Spiropalin ne vlërsuam marrëdhenit dypalëshe duke u ndalur fillimisht në bashkëpunimin tonë ekonomik. Shkëmbimi ynë turistik po lulëzon, shumë turistë cek vizitojnë Shqipërinë. Shpresojë që të shoh më shumë mundësi për investitorët e cek në Shqipëri. Mesazhi kyç që ndava me Spiropalin, është se Republika Çeke është një mbshtetëse e vazhdueshme e integrimit europian të Shqipërisë në BE. Ne avokotojmë për anëtarësimin e shpejtë në BE’, tha ajo.
Teksa komentoi edhe luftën Rusi-Ukrainë, kryeparlamentarja e Çekisë, u shpreh se duhet që të ketë një bashkëpunim mes vendeve aleate për shkak të konflikteve që janë ndezur në disa vende. Ajo theksoi se vendi ynë luan një rol të rëndësishëm kundër ndikimit rus.
‘Kontinenti ynë dhe e gjithë bota kanë kriza të shumta. Lufta është ndezur në Ukrainë dhe disa konflikte të dhunshme në lindjen e mesme. Është thelbësore që aleatët tanë të bashkëpunojnë sa më ngushtë që të jetë e mundur. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm kundër ndikimit rus dhe meriton mbështetje tonë. Është e rëndësishme që Çekia dhe Shqipëria të jenë anëtarë të NATO dhe të punojnë së bashku si anëtarë dhe miq’, tha ajo.
Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit Çek, Markéta Pekarová Adamová, zhvilloi ditën e sotme një takim me Kryetaren e Komisionit për Çështjet Europiane, deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Takimi u fokusua në angazhimin e përbashkët për procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Po ashtu, Markéta Pekarová Adamová, u takua edhe me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali në Kryesinë e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rikonfirmimin e kësaj mbështetjeje nga Kryetarja Adamová, veçanërisht ndërsa Shqipëria nis një fazë të re, përgatitjen për Konferencën e Tretë Ndërqeveritare, avancimin e negociatave mbi kapituj të rëndësishëm dhe hedhjen e bazave për një integrim më të gjerë brenda kuadrit të BE-së.