Vendosni fjalën kyçe....

“Askush s’mund ta fitojë luftën tregtare” – Kina paralajmëron Trump-in


As Shtetet e Bashkuara dhe as Kina nuk do e fitonin një luftë të mundshme tregtare, tha të hënën ambasada kineze në Uashington, pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi se do të vendoste një tarifë shtesë prej 10% për të gjitha importet kineze, kur ai të marrë detyrën më 20 janar.

“Për çështjen e tarifave të SHBA-së ndaj Kinës, Kina beson se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA është i dobishëm në mënyrë të ndërsjellë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ambasadës kineze Liu Pengyu.

“Askush nuk do e fitojë një luftë tregtare apo një luftë tarifore,” tha Liu.

Trump tha se do i vendosë tarifat derisa Kina të ndalojë rrjedhën e drogave të paligjshme, veçanërisht fentanilit, në Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratë, Liu tha se Kina kishte ndërmarrë hapa për të luftuar trafikun e drogës pasi një marrëveshje u arrit vitin e kaluar midis presidentëve Biden e Xi Jinping.

“Pala kineze ka njoftuar palën amerikane për ecurinë e bërë në operacionet e zbatimit të ligjit në SHBA kundër narkotikëve”, tha Liu.

Ka pasur përparim në rritje, por të dukshëm në bashkëpunimin për mbylljen e trafikut të paligjshëm të kimikateve të përdorura për prodhimin e fentanilit vdekjeprurës pasi Xi dhe Biden ranë dakord të rifillojnë përpjekjet e përbashkëta vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara, ku abuzimi me fentanilin ka qenë shkaku kryesor i vdekjeve, e ka shtyrë Kinën për zbatim më të ashpër të ligjit, duke përfshirë trajtimin e financave të paligjshme dhe shtrëngimin e kontrolleve të mëtejshme mbi kimikatet.

Në qershor, prokurori i lartë i Kinës u kërkoi zyrtarëve të saj të zbatimit të ligjit që të përqendroheshin në luftimin e trafikut të drogës, ndërsa Pekini dhe Uashingtoni zbuluan një hetim të rrallë të përbashkët për drogën.