Vendosni fjalën kyçe....

“Epidemia” prek gjigantin industrial gjerman, do shkurtojë 11,000 vende pune


Thyssenkrupp, një nga kompanitë më të rëndësishme të prodhimit të çelikut do shkurtojë rreth 40% të fuqisë punëtore të saj gjatë viteve të ardhshme, njoftoi të hënën në përditësimin e fundit gjiganti industrial gjerman, me punëtorët që premtojnë rezistencë të ashpër.

Prodhuesi më i madh i çelikut në Gjermani, një divizion i Thyssenkrupp AG, është nën presionin e konkurrentëve më të lirë aziatikë, çmimeve të larta të energjisë dhe dobësimin e ekonomisë globale, duke çuar në humbje operative në katër nga pesë vitet e fundit.

Sipas ristrukturimit, Thyssenkrupp Steel Europe (TKSE), e cila ka një fuqi punëtore prej 27,000 punonjësish, tha se do shkurtonte 11,000 vende pune në total – 5,000 prej të cilave do hiqen deri në vitin 2030 dhe 6,000 të tjera përmes shitjeve ose nënkontraktimeve.

Qëllimi është të pakësohen kostot e personelit me rreth 10% mesatarisht në vitet e ardhshme.

“Kërkohen masa urgjente për të përmirësuar produktivitetin dhe efikasitetin operativ të Thyssenkrupp Steel dhe për të arritur një nivel kostoje konkurruese”, tha kompania në një deklaratë.

Sipas planit, fabrika e TKSE në Kreuztal-Eichen, e cila punëson 500 njerëz, do mbyllet.

Kompania gjithashtu shpreson të heqë aksionet e saj në një fabrikë tjetër në Duisburg – megjithëse nëse kjo shitje nuk është e arritshme, TKSE ka thënë se do zhvillojë bisedime me aksionarët e tjerë rreth skenarëve të mbylljes.

Thyssenkrupp Steel tha se dëshiron të përshtatet me “pritshmëritë e ardhshme të tregut” duke ulur kapacitetin e prodhimit nga 11.5 milionë kub në vit në mes 8.7 dhe 9 milionë kub.

“Kushdo që dëshiron të shkurtojë mbi 11,000 vende pune dhe të mbyllë një uzinë duhet të presë rezistencë të ashpër nga IG Metall,” tha Knut Giesler, kreu i sindikatës IG Metall në North Rhine Westphalia, qendra industriale e Gjermanisë dhe shteti ku Thyssenkrupp ka bazën.

Rrënjët e prodhimit të çelikut të kompanisë datojnë në fillim të viteve 1800.

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se çeliku i prodhimit gjerman duhet të mbrohet, ndërsa qëndron pranë zotimit të Gjermanisë për të siguruar të ardhmen e sektorit me prodhim më miqësor ndaj klimës.

“Ne qëndrojmë pranë këtij zotimi të qartë, për një kalim miqësor ndaj klimës. Është e rëndësishme që çeliku të prodhohet gjithashtu në të ardhmen,” tha Habeck në përgjigje të shkurtimeve të planifikuara.

Ylli industrial i Gjermanisë është zbehur muajt e fundit pasi prodhimi ngadalësohet, kërkesa e huaj zvogëlohet dhe kostot rriten.

Kompani të tjera të mëdha gjermane po shqyrtojnë mbylljen e fabrikave. Javën e kaluar, punëtorët dhe drejtuesit e prodhuesit të makinave Volkswagen mbajtën një raund të tretë bisedimesh për uljen e pagave dhe mbylljen e mundshme të fabrikave në Gjermani.

Thyssenkrupp është kompania më e fundit në Gjermani që kanë deklaruar shkurtime vendesh pune.

Javët e fundit kompania tjetër e njohur gjermane Bosch njoftoi shkurtimin e 5000 vendeve të punës Gjermanët e kompanisë së automobilëve Audi kanë njoftuar gjihashtu më herët shkurtimin e deri në 2000 vendeve të punës.

Epidemia e shkurtimit të vendeve të punës ka prekur edhe kompani të tjera të mëdha ndërkobmëtare.

Kështu Nissan njoftoi në fillim të nëntorit se do shkurtojë 9000 vende pune, banka e njohur Intesa San Paolo njoftoi për një shkurtim të rreth 9000 vendeve të punës dhe së fundmi edhe fabrika më e madhe e prodhimit të baterive Northvolt njoftoi shkurtimin e 1600 vendeve të punës pas shpalljes së falimentit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani