SPAK ka bërë publike një njoftim zyrtar në lidhje me shkatërrimin e një organizate kriminale të trafikut të kokainës, e cila operonte nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Sipas SPAK, kjo organizatë, e drejtuar nga Suel Çela, kishte si qëllim kryesor kontrollin e territorit dhe eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër kriminal në qytetin e Elbasanit, që konsiderohej si kundërshtar.
Aktiviteti kriminal i organizatës financohej nga trafiku i lëndëve narkotike në destinacione si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
SPAK ka zbuluar gjithashtu përfshirjen e ish-shefit të krimeve të komisariatit nr. 6, Dedan Gjoni, dhe të ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, si dhe të gazetarëve Elton Qyno dhe Artan Hoxha.
Organizata kishte arritur të korruptonte këta individë, të cilët shfrytëzonin pozitat e tyre zyrtare për të ofruar informacione dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Njoftimi zyrtar i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine. Ky hetim i bazuar në komunikimet e koduara SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:
Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
Arrest në shtëpi për 1 avokat.
Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.
Struktura e Organizatës
Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.
Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.
I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:
Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.
Shtetasi M.L. (alias S.Ç.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.
Roli i personave të tjerë
Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.
M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.
Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.
Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës
Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.
Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.
Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:
a. Në blerjen e lëndës narkotike
b. Në gjendje cash-i në Shqipëri
c. Në biznese në dukje të rregullt
d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit
Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).
Masat e sigurimit janë dhënë për personat e mëposhtëm:
Marjus Lulaj (alias Suel Çela), – 36 vjeç, banues në Elbasan
Mario Çela – 35 vjeç, banues në Elbasan
Xhino Roka – 33 vjeç, banues në Tiranë
Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), – 37, banues në Elbasan
Sergej Hasanpapaj – 30 vjeç, banues në Elbasan
Bruno Hazizolli – 34 vjeç, banues në Elbasan
Ledio Zabeli – 33 vjeç, banues në Elbasan
Marsel Roka – 37 vjeç, banues në Tiranë
Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), – 39 vjeç, banues në Tiranë
Preke Kodra – 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe
Fuad Verzivolli – 48 vjeç, banues në Elbasan
Metin Mehja – 27 vjeç, banues në Elbasan
Renato Hasani – 35 vjeç, banues në Elbasan
Skender Sufaj – 34 vjeç, banues në Tiranë
Artan Hoxha – 50 vjeç, banues në Tiranë
Elton Qyno – 39 vjeç, banues në Tiranë
Pajtime Fetah – 65 vjeç, banues në Elbasan
Dedan Gjoni – 48 vjeç, banues në Tiranë
Marsel Shega (alias Bujar Shega), – 51 vjeç, banues në Tiranë
Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa) – 40 vjeç, banues në Tiranë
Blerina Beqiri – 39 vjeç, banues në Elbasan
Veprat penale të dyshuara:
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të A.Ç, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
“Grup i strukturuar kriminal”.
“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
“Shpërdorim detyre”.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .