Sot është mbajtur seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008.
Pas seancës Mediu foli për gazetarët ku përsëriti edhe një herë se si ministër nuk ka pasur përgjegjësi për kalibrat, por gjithnjë merret parasysh mendimi i shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë që është këshilltar edhe i kryeministrit dhe presidentit.
“Një ministër nuk mund të japë mendim për kalibrat. Mendimi vjen i firmosur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, këshilltari i lartë ushtarak edhe i kryeministrit dhe presidentit.
Ministri nuk mund të ketë autoritet për ta pyetur. Nuk do ishte korrekte dhe nuk do kishte mundësi ta bëjë.
Nuk mund të vërë në mëdyshje akte që janë programi si demontimi apo praktika të mbrojtjes si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO”, tha Mediu.