Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli bombardon Bejrutin qendror në prag të marrëveshjes për armëpushim me Hezbollahun


 

Avionët izraelitë sulmuan Bejrutin qendror dhe periferitë jugore të qytetit të martën, duke shkaktuar re tymi mbi kryeqytetin libanez.

Sulmet ndodhën përpara votimit të planifikuar nga udhëheqësia izraelite mbi një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA për t’i dhënë fund konfliktit më shumë se njëvjeçar me Hezbollahun. 

Ushtria izraelite paralajmëroi evakuimin e 20 ndërtesave të tjera në periferi, duke sinjalizuar përpjekjet për të goditur Hezbollahun deri në momentet e fundit përpara ndonjë armëpushimi, përcjell agjencia AP.

 Në të njëjtën kohë, trupat tokësore izraelite arritën për herë të parë lumin Litani në Liban – një pikë kyçe në marrëveshjen e propozuar.

Ndërsa armëpushimi mbetet ende i pasigurt, kabineti i sigurisë i Izraelit pritet ta miratojë propozimin gjatë një takimi pasdite. Autoritetet libaneze kanë konfirmuar se edhe Hezbollah e mbështet marrëveshjen. 

Sipas planit, armëpushimi fillestar dy-mujor kërkon që Hezbollahu të tërhiqet nga jugu i Libanit, ndërsa trupat izraelite do të kthehen në kufirin e tyre.

Trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendosen në jug, ndërsa një panel ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët.