Edhe pas numërimit të të gjitha votave, ekspertët ende nuk po mund t’i bien në fije se si Calin Georgescu arriti të shënojë fitore të papritur në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.
Georgescu, një figurë shumë pak e njohur e ekstremit të djathtë, i la gojëhapur ekspertët dhe sondazhet duke fituar më 24 nëntor. Ai i mposhti favoritët, përfshirë kryeministrin majtist, Marcel Ciolacu nga Partia e Socialdemokratëve, e cila ka mbizotëruar në Rumani me dekada.
Meritat kryesore për suksesin e Georgescut i ka fushata e tij në rrjetet sociale, gjë që me sa duket nuk u vërejt nga shumë analistë. Derisa ishte i pranishëm në Facebook dhe YouTube, ai bëri fushatë të shkathët në TikTok, ku mori mbështetje të madhe dhe u lidh me miliona të rinj.
TikTok, i cili u lansua më 2017, tani është ndër uebsajtet më të njohura në internet, duke e kaluar edhe Google-in më 2021. Miliona njerëz janë joshur nga videot e shkurtra të këtij aplikacioni, algoritmet e të cilit e personalizojnë përmbajtjen për secilin përdorues.
Synim, votuesit e rinj
Derisa shumica shkojnë në TikTok për t’u argëtuar, shumë njerëz, posacërisht brezat e rinj, i marrin edhe lajmet atje.
Në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e përdoruesve të TikTok-ut nën moshën 30-vjeçare thonë se e përdorin këtë aplikacion për t’u njoftuar me lajmet dhe politikat, sipas Qendrës Hulumtuese Peë.
Ashtu si në vendet e tjera, edhe në Rumani popullariteti i TikTok-ut ka shpërthyer. Në shkurt të vitit 2019, në Rumani ishin vetëm 175.000 përdorues të TikTok-ut të moshës 14 deri në 65-vjeçare. Deri në fillim të vitit 2024, kjo shifër është rritur në hiç më pak se 8.97 milionë përdorues.
Shumë nga kandidatët kryesorë presidencialë rumunë kanë llogari në TikTok, duke përfshirë Ciolacun dhe liberalen properëndimore, Elena Lasconi, kandidatja me të cilën Georgescu do të përballet në balotazhin presidencial të 8 dhjetorit.
Por, duket se vetëm Georgescu arriti ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e platformës së mediave sociale, e cila është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.
Shumë nga votuesit e Georgescut ishin të rinj. Në një postim në Facebook, sociologu Remus Stefureac tha se të dhënat e votimit tregojnë se “31 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24-vjeçare votuan për Georgescun, ndërsa vetëm 8 për qind të votuesve ishin mbi moshën 65-vjeçare”.
Stefureac shtoi gjithashtu se votuesit deri në moshën 44-vjeçare kanë më shumë gjasa të votojnë për Georgescu, krahasuar me votuesit mbi moshën 45-vjeçare, në balotazh.
Georgescu shfrytëzoi zemërimin e votuesve me inflacionin dhe korrupsionin në vend, duke i fajësuar BE-në dhe NATO-n për pjesën më të madhe të problemeve të vendit dhe duke pretenduar se “sovraniteti” i Rumanisë po cenohej.
Ai gjithashtu i lavdëroi Ion Antonescun, liderin de fakto të Rumanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili u dënua me vdekje për rolin e tij në Holokaustin e Rumanisë, dhe Corneliu Zelea Codreanun, liderin para Luftës së Dytë Botërore të Gardës së Hekurt – e cila ishte ndër lëvizjet më të dhunshme antisemitike në Evropë.
Gjatë fushatës së tij, ai e kritikoi vazhdimisht anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, si dhe mbështetjen e saj për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Në një intervistë televizive disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të 24 nëntorit, Georgescu bëri thirrje për ndërprerjen e përkrahjes për Ukrainën./REL