Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e 14-vjeçarit, protestë te Ministra e Arsimit: Hetim i plotë i ngjarjes, paketë sigurie për shkollat


Qindra qytetarë kanë dalë sotnë protestë lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollë “Fan Noli” rreth një javë më parë.

Ata e kanë nisur marshimin nga shkolla për t’u ndalur më pas para Ministrisë së Arsimit. Ata kërkuan dorëheqjen e ministres Manastirliu si dhe miratimin e një pakete masash  për t’i bërë shkollat më të sigurta.

“Jam prind i tre fëmijëve, të tre te ‘Fan Noli’. Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarja e fundit. Ne kërkojmë që shenjtëria e jetës njerëzore të jetë në radhë të parë. Kërkojmë më tepër siguri në shkolla, rritje të numrit të psikologëve. Një edukim të posaçëm të fëmijëve për shenjtërinë e jetës. Bullizmi dhe armët e ftohta në shkolla duhet të marrin fund njëherë e mirë. Duhet një ndërgjegjësim dhe një edukim më i mirë. Nuk mjafton të marrë dhjeta dhe të jetë ekselent. Ne nuk do ta lëmë deri sa kjo çështje të ketë një zgjidhje, qoftë për hetimin e çështjes, qoftë për rritjen e sigurisë në shkolla”, tha një prind.

Ndërsa një qytetar tjerër tha se duhen kontrolle më të rrepta në shkolla  për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

“Ajo që ka ndodhur te Fan Noli nuk është një rast i izoluar. Nëse do ketë kontrolle në shkolla të tjera do zbulohen shumë raste. Më tmerron dhe më bën të ndihem e pasigurt ajo që mund të ndodhë”, tha ajo.