Vendosni fjalën kyçe....

Komunikimet e deputetit Çyrbja, i kërkohet ndërhyrja në favor të grupit kriminal


Në emisionin Inside Story u zbardhën komunikimet mes grupit të Shijakut dhe ish-deputetit socialist Ergus Çyrbja.

Në komuniket shfaqen kërkesa duke filluar nga ndërhyrje për të lehtësuar masa sigurie dhe deri te biseda për vrasje.

Pjesa 1

Në bulevardin Gjergj Fishta në Tiranë, policët e patrullës së përgjithshme ju vunë pas një makinë të dyshimtë.

Ishte ora 22 e datës 18 janar 2021. Ende pa kryer testin përmes dragerit policët kuptuan se shoferi ishte i dehur.

Një efektiv gjatë kontrollit, vuri re se poshtë sendiljes së shoferit ishte fshehur një armë tip “Bereta”.

Në krehër kishte dhjetë fishekë. Me hyrjen e mesnatës teksa analizat e alkoolmatësit vërtetuan dyshimet për drejtimin e një mjeti nga një shofer i dehur, një oficer krimesh firmoste urdhrin e arrestit për armëmbajtje pa leje dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.

Por siç punonin agjentët e thjeshte për të dërguar në qeli një të dyshimtë, dikush tjetër nga një lokacion i panjohur mbasi ishte i shpallur në kërkim, po u binte telefonave për ta liruar.

Ai po përdorte aplikacionin SKY ECC si shteg komunikimi. I bindur si mijra të tjerë në të gjithë botën se sekretet e tyre do të mbeteshin të fshehta, të panjohura dhe se asnjëherë nuk do të zbuloheshin.

I arrestuari mund të kishte qenë kushdo që ndalohet në një komisariat fill pas një kontrolli dhe i gjenden sende të ndaluara.

Por në këtë rast, bënte një diferencë nga të tjerët. Ishte kunati i Altin Hajrit, një emër i lakuar në dosje të shumta e me lidhje të forta, i cili menjëherë sapo informohet për arrestimin e të afërmit nuk qëndron duarkryq. Nis telefonatat dhe personi për të cilin kërkon me doemos të lirohet quhet Julian Gjoshi, 23 vjeç i dënuar më herët.

Këtë episod, nuk mund ta dinte askush deri ditën që dosja me numër 93 ku hetoheshin rrjete të trafikut ndërkombëtar të kokainës u nda në disa të tjera më të vogla.

Një ndër to sepse kodi i SKY “BFLSI1” bënte të dyshimtë si përdorues një deputet të Parlamentit shqiptar.
Dosja e emëruar Jurgis Çyrbja fliste për biseda mes tij dhe personave të ndryshëm, që të gjithë nën verifikim. Derisa një indicie ku ai vetprezantohet se ishte xhaxhai i një të riu I fshin të gjitha aludimet e prokurorëve.

Altin Hajri komunikon me deputetin që ai të përdorë kreditet e tij për lirimin e kunatit.

‘Se kanë kap kunatin tim me pistoletë. Mos bajm naj gjë, është kunati me gjith atë Bolin që rrin aty ke un. Të paktën ta mbajë një e të dalë një. Shif naj arrest shtëpie’.

Pjesa 2

Bisedat me Çyrben nisin nga 19 janari, pra, pak orë pas arrestimit deri në 26 janar, jo shumë larg nga koha kur në Tiranë kryhen lëvizjet për ti hapur derën e qelisë 23 vjeçarit.

Derisa të arrihej ajo fitore, duhej punë dhe Altin Hajri është i qartë në çfarë kërkon. Ai jep sugjerime konkrete teksa kërkon prishjen e gjilpërës së pistoletës. Për këtë, premton para’.

“Sa lek dun veç ta nxjerrim. Më fol direkt. Se duhen kapur tani. Se mos bëjnë provën, japim 10 euro veç të na e prishi atë mrokllën, se ai mar qeka veç për gishtat. Se po marove ti s’kam kujt me I than më, veç me prish gjilponën. Kërkoje vëlla sa lekë të dojnë, veç dua t’ja maroj se më mbytën kalamajt. Jepi 20 mi euro sa të dojë ai, vec ta mbarojë. Në 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëji mikut tat Olsit”.
Arben Braçe ka shërbyer për mbi dy dekada në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, një eksperiencë që e ka bërë të kuptojë mirë fijet mes krimit dhe zyrtarëve.

Ai thotë me këmbëngulje se eksponentët e krimit të organizuar, kanë synuar përherë rekrutimin e përfaqësuesve të shtetit. Madje, nuk kanë nguruar të afrojnë edhe nëpunës të thjeshtë, tek të cilët kanë investuar për të kapur pozicione kyçe në të ardhmen.

Këto investime largpamëse të krimit, janë parë fillimisht tek grupet kriminale të Fierit. Më pas, këto metoda janë adaptuar dhe janë zbatuar edhe nga i forti i Shijakut Altin Hajri, siç zbulohet në dosjen e radhës të platformës SKY.

‘Avancimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar në veçanti , ishte shumë i madh dhe është akoma shumë i madh dhe krimi ka përparuar dhe ka përfaqësuesit e vet në organet ligjzbatuese sikurse në organet e policisë, prokurorisë, gjyqësorit dhe të politikës sikurse po i referoheni ju rastit konkret rasti i ish deputetit Jurgis Çyrbjes.

Pra krimi ka patur një terren shumë të madh dhe një kontroll sikurse del nga këto përgjime deri në emërimin e drejtorëve të përgjithshëm të policisë, në emërimin e përfaqësuesve të sovranit , të bashkive, një pjesë të deputetëve dhe i ndodhur në këto pozita krimi ka patur dhe ka akoma shumë pushtet dhe supermaci dhe në shumë raste duke qenë se përfaqësuesit e tij në shumë raste ishin të disktredituar publikisht ata morën kurajo të fusin edhe fëmijët e tyre në përfaqësuesit e sovranit që është aq sa qesharake si veprim aq dhe e dëmshme dhe kriminal’ u shpreh Arben Braçe, ish-drejtor i ekstradimeve.

Pjesa 3

Përdoruesi i kodit “BFLSI 1”që dyshohet se është deputeti Jurgis Çyrbja komunikon me një person që mendohet se është Edmond Koçi. Ky është një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Durrës, i njohur me nofkën “Mond Çekiçi”.

Është fillim i marsit dhe më tepër se një muaj para se shqiptarët tu drejtohen kutive për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Koci tregohet optimist mbasi është investuar tek persona të tjerë që Çyrbja të ishte kandidat për deputet në listë. Aty këmbëngul që ka biseduar që Çyrbja të mos ishte i 7 por të renditej i pesti në listë.

Tashti sa e mbylla muhabetin tënd se kam tre orë me atë , por mos fol me njeri njëherë. Mos i thuaj asnjërit. Vetëm mos fol se na prishin punë. Bëj sikur s’di gjë. Se ja kërkova personalisht. E du unë këtë gjë i thashë përveç se e duan të gjithë. Do ju çoj ashtu tha, normal ti i pesti , Liri i shtati”

Mond Çekiçi, do të ekzekutohej në një atentat mafioz pak ditë pas bisedës që kishte pasur përmes SKY me deputetin Jurgis Çyrbja. Ajo që përbën fakt, është ngjitja në listë e Çyrbes. Jo në vendin e 7-të siç kishte premtuar “Çekiçi”, por në vendin e 3-të, përtej pritshmërive.
“Rrofsh je i madh. Rrofsh vëlla. JOOO. Rrofsh vëlla na ngrite moralin se na kishte ik mendja”, i pëgjigjet Cyrbja Edmond Kocit      Lista e bërë publike në atë kohë tregon se Jurgis Çyrbja u rendit i treti në garën për deputet, ndërsa personi që flitet si Liri dhe që dyshohet se është deputeti Ilir Ndraxhi renditet i pesti.

‘I është lënë një terren shumë i madh dhe paratë e krimit janë shumë fishuar. Këto para kthehen shumë shpesh në blerje votash dhe pak a shumë përfaqësuesit e krimit po bëhen si mëkëmbës apo përfaqësues të drejtëpërdrejtë të sovrani’ u shpreh Arben Braçe, ish-drejtor i ekstardimeve.

Përkundër këtyre komunkimeve në Sky eç , ish-deputeti i Durrësit vazhdon të mbajë qëndrim mohues. Ai këmbëngul se nuk ka përdorur kurrë në jetën e tij aplikacionin Sky Ecc.

Pavarësisht pretendimeve të tij, hetuesit janë të bindur se kanë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se pas bisedave inkriminuese me njerëzit e krimit, qëndronte pikërisht ish deputeti Jurgis Çyrbja.

Në fashikullin hetimor sqarohet se në ato biseda, ai përmendet me shkurtesat “J”, “JUR”, “JURI”. Bisedat i përkasin periudhës 2020-2021, kur ishte deputet, dhe kandidat i konfirmuar për mandatin e dytë.

Në fakt, Çyrbja u surprizua nga kjo dosje pasi kishte dorëzuar mandatin e deputetit lidhur me hetimin tjetër për akuzën e tjetërsimit të tokave gjatë kohës që drejtonte Kadastrën e Durrësit.

Sot, ai qëndron prapa hekurave për tregim sekreti, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje. Akuza që lidhen me transkriptet e zbardhura më sipër.

Pjesa 4

Pritja e të kërkuarit zgjat 11 muaj, kohë gjatë të cilës fashikujve të gjykimit ju shtohen raporte shtrimi në spital për shkak të infarktit akut.

Me ndihmën e personave ende nën verifikim, ai siguron raporte favorizuese, njëjtë me skemën e lirimit të parakohshëm të mjaft njerëzve të botës së krimit.

Familja e tij përdoret si rrethanë lehtësuese teksa në gjykatë thuhet se gëzojnë respekt në Shijak. Dosjes i bashkangjiten raporte mjekësore të babait të sëmurë. Me këtë argument gjykata nuk e dënon me burg por urdhëron lirimin e menjëhershëm me kushtin e vënies në provë për 3 vjet.

Të gjithë të kërkuarit , të gjithë ata që kanë probleme me ligjin paguajnë kuota. Sot kemi përshembull lojrat e fatit që paguajnë prëshembull në Elbasan kemi patur një nën komisar që ëhstë në arrati i cili merrte kuota, dhe nuk është kuotë si gjobë por për të patur informacione se cfarë ndodh. Kemi raste konkrete gjyqtarë që fliten që hodhën lekët në tualet, por s’kemi raste gjyqtarësh që duhen hetuar se dënojnë një të pafajshëm se paguan pala tjetër’ u shpreh Alfred Bari, avokat.

‘Krimi në mënyrë metaforike po e them ose në thonjëza është shumë avanguard ka përparuar shumë aq sa ka fituar të drejtën e qytetarisë, sot ndoshta është një maksimë shumë e madhe po të them që je më i nderuar po të jesh shkelës i ligjit dhe kriminel dhe je më i respektuar se sa njeri i ndershëm. Mos të flas për një intelektual të cilët tek ne janë të pakët por janë të përjashtuar nga jeta politike sociale dhe . Si të thuash ndihen të izoluar dhe nuk i ndesh më as në organet e drejtësisë mos të them në përfaqësimin politik.

Këto që dëgjojmë këto ditë , arrestohet një deputet , arrestohet një kryetar bashkie, se ka trafikuar në vendin fqinj në Greqi apo Itali po pse pak mësues ka këtu pak njerëz të ndershëm, ndjesë për këtë revoltë të brendshme timen që këta mund ti propozojmë njerëz inteligjente ka këtu por zgjedhin kryerrugaçin, kryebanditin që çojnë në krye të përfaqësimit të pushtetit lokal mos në them në krye të sovranit’ u shpreh Arben Braçe, ish-drejtor i ekstradimeve.

Pjesa 5

Të fortët e Shijakut ishin në dijeni të çdo lloj lëvizje të strukturave policore në zonën e tyre të influencës.

Ata i dinin saktësisht edhe lëvizjet e civilëve të policisë që supozohej se ishin të paidentifikueshëm.
Altin Hajri, ishte shpallur në kërkim për zhdukjen e shtetasit Jan Prenga, por ai qarkullonte i lirë në zonë. Falë informacioneve, ai ishte përherë 1 hap para policisë.

Lidhja që kishte Alti Hajri me Jurgis Çyrben kishte mundësinë të siguronte atij që të parashikonte çdo veprim nga ana proceduriale si nga policia si nga prokuroria dhe ishte duke sjellë shmangien e tij dhe duke ju paraprirë të gjitha veprimeve që mund të vinin nga organet ligjzbatuese.

Altin Hajri ka shfrytëzuar të gjitha informacionet që i vinin nga Jurgisi Çyrbja në funksion të veprimtarisë së tij për të shmangur arrestimin në rastin konkret që të mos arrestohet nga ana e ligjzbatuese.

Dosjet më e mëparshme është një person që paraqet një rrezikshmëri të lartë nga vetë fakti nga prova që është që janë akumuluar deri më sot me faktin që është një person që ka rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Nëse transkriptet e zbardhura janë të vërteta, shoqërohen me prova nga dosjet dhe kanë si përdorues real të identifikuarit nga prokuroria, kuptohet që Cyrbja nuk është rast i veçuar.

VINI RE: Pjesët e artikullit janë pronë intelektuale e Top Channel