Vendosni fjalën kyçe....

Festa e 28 Nëntorit, Rama, Basha dhe Kurti urojnë shqiptarët


Sot, më 28 nëntor, Shqipëria feston Ditën e Pavarësisë, një ngjarje historike që shënon vetëshpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 1912, nga Ismail Qemali, në Vlorë.

Në këtë ditë, 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në shpalljen e pavarësisë, ndërsa 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama ka uruar qytetarët me një video që tregon momente festive nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, Sheshi i Flamurit në Vlorë dhe Kalaja e Rozafës në Shkodër. Në mesazhin e tij, ai ka shoqëruar urimin me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”.

Urimi i plotë i Ramës

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan Rama me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”.

“MIRËMËNGJES 
dhe me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësis”, shkruan Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin, dhe ka theksuar angazhimin e Kosovës për ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai ka deklaruar se ky projekt do të pasqyrojë dinjitetshëm luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim.

Kurti nënvizoi se nuk do të kursejnë asgjë për të realizuar këtë kompleks memorial ndërkombëtar, i cili do të ketë një nivel të lartë artistik dhe do të nderojë veprën heroike të Familjes Jashari.

Urimi i plotë i Kurtit

“Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori!”, ka shkruar Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar shqiptarët Ditën e Pavarësisë, duke e cilësuar si datën më të rëndësishme të identitetit kombëtar.

Ai shprehet se momentet historike janë të lidhura me këtë ditë, si ngritjen e flamurit nga Skënderbeu, Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.

Urimi i plotë i Bashës:

Urime 28 Nëntorin, datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar!

Prej ngritjes së dykrenares së Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë, te Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Bej Vlora në Vlorë e deri te ditëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jasharit në Prekaz, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë datë.

28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohje të thellë kombëtare dhe gëzimi, ashtu sikurse është edhe një moment reflektimi për përgjegjësitë që kemi përpara.

Nderim përjetë dhe lavdi të gjithë atyre që u flijuan për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar!