Sot, shqiptarët festojnë 112-vjetorin e Pavarësisë, një ditë e shënuar për ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali, duke u çliruar nga Perandoria Osmane.
Në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit në Vlorë, që u zhvillua paraditen e sotme, ishin të pranishëm Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Për të dytin vit radhazi, Tiranën do të presë paradën e shqiptarëve, një aktivitet që promovon veshjet dhe tiparet tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, me mbi 10,000 pjesëmarrës të pritur. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është zbukuruar me flamuj kuqezi, dhe gjithashtu, flamujt janë shfaqur në institucione kryesore dhe në të gjithë vendin, duke i dhënë një pamje festive Ditës së Flamurit.
Presidenti i Republikës uroi sot nga Sheshi i Flamurit në Vlorë të gjithë shqiptarët.
“Gëzuar Festën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!
Nga sheshi historik i Vlorës, simboli i arritjes madhështore të 28 Nëntorit 1912 , i vlerave që çmojmë, bashkimit të vullneteve në emër të Shqipërisë e për të ardhmen e saj, ju uroj gëzuar
Kudo ku janë bashkëatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, u shpreh ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar shqiptarët për 112-vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në rrjetet sociale të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Blinken theksoi se marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike.