Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria do ndihmojë nëpunësit shqiptarë për integrimin në BE, nënshkruhet marrëveshja në Budapest


Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, nënshkruan sot në Budapest Planin e Veprimit për trajnimin e nëpunësve shqiptarë në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ky bashkëpunim bazohet në përvojën e suksesshme të Hungarisë si anëtare e BE-së që nga viti 2004 dhe synon përgatitjen e administratës shqiptare për të përballuar sfidat e procesit të negociatave. Nëpërmjet Akademisë Diplomatike Hungareze, do të organizohen seminare të posaçme për nëpunësit publikë shqiptarë, me fokus në rritjen e aftësive dhe arritjen e standardeve evropiane.

Ministrja Pirdeni e konsideroi Planin e Veprimit një hap kyç për forcimin e kapaciteteve administrative dhe përgatitjen për integrimin në BE. “Përvoja e Hungarisë na ndihmon të krijojmë një administratë më efikase dhe të përgatitur për të përmbushur detyrimet tona në këtë proces historik,” deklaroi ajo. Nga ana tjetër, ministri Szijjártó rikonfirmoi mbështetjen e Hungarisë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor si pjesë të ardhshme të BE-së.

Kjo marrëveshje përforcon lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Ajo është një nga dy marrëveshjet që do të nënshkruhen gjatë vizitës zyrtare dyditore të Ministres Pirdeni në Budapest.

Vizita zhvillohet në prag të përfundimit të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila kohët e fundit ka mbështetur hapjen e negociatave për Grupkapitullin I të Themeloreve dhe, së fundmi, për Grupkapitullin VI mbi Marrëdhëniet e Jashtme.