Drejtuesit në Zeiss SMT, që prodhon përbërës të domosdoshëm për ndërtimin e gjysmëpërçuesve më të fuqishëm në botë, morën disa lajme shqetësuese vjeshtën e kaluar. Divizioni i punësimit nga Huawei Technologies, firma kineze e teknologjisë, po përpiqej të joshte punonjësit e saj.
Punonjësit që kishin të dhëna e njohuri mbi teknologjitë e rëndësishme të Zeiss mori mesazhe, emaile dhe telefonata në LinkedIn nga përfaqësuesit e Huawei, duke u ofruar atyre deri në trefishin e pagave për t’u bashkuar me kompaninë kineze.
Shtytja shkaktoi një hetim nga zyrtarë të inteligjencës gjermane, të cilët kishin frikë se kjo lëvizje mund të siguronte një derë të pasme për Huawei-n për të hyrë në disa nga pronat intelektuale më të sofistikuara në botë. Hetimi mbetet i hapur, thonë persona të njohur me këtë çështje.
Është shenja e fundit që gjuetia e talenteve është bërë një front vendimtar në betejën midis Kinës dhe Perëndimit për epërsi teknologjike.
Ndërsa qeveritë perëndimore e bëjnë më të vështirë për Kinën qasjen ndaj teknologjive të ndjeshme – një prirje që pritet të vijojë nën administrimin e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump – shumë kompani kineze po përpiqen të ecin përpara duke joshur inxhinierët më të mirë në fusha të tilla si gjysmëpërçuesit e avancuar dhe inteligjenca artificiale.
Firmat kineze po përqendrohen në disa qendra teknologjike, duke përfshirë Tajvanin, pjesë të Evropës dhe Silicon Valley. Disa e fshehin origjinën e tyre kineze duke themeluar sipërmarrje lokale që punësojnë punonjësit për të shmangur tërheqjen e vëmendjes nga zyrtarët vendas, thonë autoritetet.
Shtytja po i detyron zyrtarët në SHBA dhe Evropë, shumë prej të cilëve e shohin rekrutimin si një veprimtari të zakonshme biznesi që nuk duhet të kufizohet, të përballen nëse duhet të bëjnë më shumë për të kontrolluar atë që po ndodh, dhe nëse po të gjejnë si ta bëjnë këtë.
Tajvani, i cili tashmë ka rregulla strikte për rekrutimin kinez, tha në shtator se kishte nisur një goditje, duke akuzuar tetë kompani teknologjike në Kinë për joshje të paligjshme të talenteve nga ishulli, duke kërcënuar kësisoj konkurrencën e Tajvanit.
Autoritetet e Koresë së Jugut po ashpërsojnë dënimet për personat që transferojnë në mënyrë të paligjshme teknologji të ndjeshme në vende të huaja si Kina, përfshirë edhe kur ata rekrutohen për të punuar atje. Vendi po përballet me disa raste, duke përfshirë një në të cilin një ish-ekzekutiv i Samsung Electronics u akuzua për marrjen e paligjshme të projekteve të fabrikës së Samsung për të ndërtuar një fabrikë të gjysmëpërçuesve në Kinë.
SHBA-ja dhe Evropa mbeten mjaft të hapura për rekrutim nga shumica e kompanive kineze. Por zyrtarët e inteligjencës evropiane thonë se ata po mbikëqyrin me shqetësim teksa kompani të lidhura me Kinën përpiqen të joshin ekspertë nga kompanitë teknologjike të rëndësishme të Evropës. Agjencitë e inteligjencës amerikane thanë në vlerësimin e tyre të fundit të kërcënimit se ata besonin se Kina po përpiqej të përdorte rekrutimin e talenteve si një mënyrë për t’u bërë një superfuqi e shkencës dhe teknologjisë.
Sekretet e gjysmëpërçuesve
Zyrtarët perëndimorë të sigurisë janë veçanërisht të shqetësuar për përpjekjet e Kinës për të synuar ASML Holding, ndër kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në botë, dhe furnizuesit e saj, përfshirë Zeiss të Gjermanisë. Firma holandeze është e vetmja e aftë globalisht për të bërë makineri të sofistikuara të nevojshme për të printuar struktura më të vogla se 1/10,000 e gjerësisë së një fijeje floku të njeriut në gjysmëpërçues për INteligjencë Artificiale të përparuar dhe aplikacione të tjera.
ASML-së iu deshën dekada të tëra për të zotëruar makineri të tilla litografike, të njohura si skanerë EUV. Pa to, Kina nuk mund të prodhojë gjysmëpërçues të përparuar. Qeveria holandeze e pengon ASML-në që të dërgojë makinat e saj EUV në Kinë, ku mund të kenë ede aplikime ushtarake.
Që nga viti 2021, Huawei ka punësuar dhjetëra inxhinierë dhe punonjës me bazë në Kinë, të cilët punonin në litografi dhe optikë për kompani të ndryshme, përfshirë ASML-në dhe firma të tjera perëndimore, tregojnë të dhënat nga LinkedIn dhe faqja kineze e rrjeteve të punës Maimai. Një inxhinier kinez, i cili u largua nga ASML rreth një dekadë më parë me njohuri për disa nga programet e tij, më vonë krijoi një kompani rivale në Kinë, sipas regjistrimeve të korporatave dhe ASML.
Një ish-punonjës i ASML-së me bazë në Taipei tha se ai merrte pyetje nga rekrutuesit kinezë çdo muaj për dy vjet radhazi pasi u largua nga kompania në vitin 2020. Inxhinieri tha se Huawei ishte veçanërisht këmbëngulës, me përpjekje të përsëritura për t’u lidhur në LinkedIn. Ai nuk u përgjigj kurrë.
ASML tha se nuk kishte asnjë tregues të veprimtarisë së pazakontë të rekrutimit ndaj punonjësve të saj dhe shkalla me të cilën punonjësit largohen është shumë e ulët si në Holandë ashtu dhe globalisht.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se nuk ishte në dijeni të shembujve të përpjekjes për grabitjen e inxhinierëve, duke shtuar se ndërveprimi i Kinës me talentet e huaj nuk është i ndryshëm nga ai i kombeve të tjera. Huawei nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
“Ofro ç’të mundesh”
Kina e ka bërë të qartë se rekrutimi është një prioritet, veçanërisht për teknologjitë konkurruese si Inteligjenca Artificiale (AI). Një plan i qeverisë për zhvillimin e AI në 2017 bëri thirrje për tërheqjen e talenteve “më të mprehtë”, duke përfshirë “shkencëtarët më të mirë ndërkombëtarë” në fusha të tilla si mësimi i makinerive, drejtimi automatik dhe robotët inteligjentë.
“Joshja e inxhinierëve të huaj mund të sigurojë një rrugë të shkurtër të vlefshme për kompanitë kineze sepse përvoja e tyre s’mund të dublohet apo vidhet lehtë”, tha Paul Triolo, një partner në firmën e konsulencës së biznesit DGA Group.
“Qeveritë tani kujdesen më shumë për këtë,” tha ai, megjithëse përcaktimi se ku të vihet kufiri për rekrutimin e pranueshëm do jetë “një detyrë shumë e vështirë dhe e ndërlikuar për t’u zbatuar”.
Shumë qeveri kanë kufizuar tashmë partneritetet akademike dhe të biznesit me Kinën ose kanë prezantuar programe të shqyrtimit të investimeve për blerjet kineze. Financimi shtetëror për kompanitë kineze u mundëson atyre të ofrojnë paga përtej asaj që mund të paguajnë kompanitë perëndimore.
Shumë inxhinierë ngurrojnë të pranojnë oferta të tilla, duke përmendur rreziqet e reputacionit dhe shqetësimet në lidhje me përshtatjen në kulturën e korporatave kineze. Megjithatë, kompanitë kineze bëjnë kaq shumë oferta joshëse dhe lëshime – një strategji që një ish-rekrutues i Huawei e përshkroi në një intervistë si “ofro ç’të mundesh dhe prit” – sa që në mënyrë të pashmangshme disa pranojnë.
Shpesh, ata sjellin me vete sekrete tregtare. Vitin e kaluar, shefi ekzekutiv i kompanisë kaliforniane të gjysmëpërçuesve FemtoMetrix dëshmoi në Kongres se sekretet tregtare të kompanisë së tij ishin vjedhur kur tre punonjës u larguan për të krijuar një kompani gjysmëpërçuesish në Kinë, duke marrë me vete mijëra dosje të FemtoMetrix.
Alon Raphael, shef i FemtoMetrix, tha në dëshminë e tij se ishte një shembull i “lojërave të Kinës për vjedhjen e pronës intelektuale amerikane”.
Në një intervistë, Raphael tha se kompania e tij “mezi” po qëndron në biznes dhe ai nuk ka qenë në gjendje të mbledhë fonde të konsiderueshme që nga vjedhja e të dhënave.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se Kina respekton rregullat e pronësisë intelektuale dhe se çdo raport për vjedhje të pretenduar të pronës intelektuale ishte shpifje e pabazë.
Shqetësimet e Tajvanit
Në Tajvan, shtëpia e Taiëan Semiconductor Manufacturing, prodhuesi më i madh në botë i gjysmëpërçuesve, zyrtarët thonë se kanë filluar të shohin një rritje të përpjekjeve kineze për t’u rrëmbyer talentet dhe vjedhjeve të sekreteve tregtare rreth vitit 2015. Të zhgënjyer, ata miratuan rregulla të reja në 2022 që ndalojnë këdo nga rrjedhja e teknologjisë kritike për sigurinë kombëtare dhe konkurrencën industriale të Tajvanit ndaj vendeve të huaja.
Shkelësit përballen me 12 vjet burg dhe një gjobë deri në 3 milionë dollarë. Tajvani gjithashtu forcoi ndëshkimet për firmat vendase që veprojnë si figurina për kompanitë kineze për të punësuar talentë.
“Njohuritë si mund të bëhet kjo janë në mendjen e tyre dhe në disa raste, një ekip i tërë mund të joshet nga një kompani kineze,” tha Sun Chen, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i byrosë së hetimit në Ministrinë e Drejtësisë së Tajvanit. Midis 2020 dhe korrikut 2024, ministria hetoi rreth 90 raste të gjuetisë së talenteve, shumica e lidhur me gjysmëpërçuesit, elektronikën dhe makineritë, tha Sun.
Disa vite më parë, Liang Mong Song, një ish-inxhinier i lartë tajvanez në TSMC dhe Samsung, iu bashkua prodhuesit më të madh të gjysmëpërçuesve në Kinë, Semiconductor Manufacturing International. Liang shpesh vlerësohet me ngritjen e shpejtë të SMIC me bazë në Shangai, i cili vitin e kaluar ndihmoi Huawei të prodhonte procesorin e tij më të përparuar të smartfonëve, një çip shtatë nanometra i përdorur në një nga telefonat e tij më të fuqishëm.
Në goditjen e fundit të Tajvanit, autoritetet thanë se bastisën 30 zyra dhe morën në pyetje 65 individë në katër qytete. Në mesin e tetë kompanive të akuzuara për gjueti të paligjshme të talenteve ishte një prodhues i madh kinez i veglave të çipave.
Disa firma kineze të çipave përpiqen të errësojnë origjinën e tyre, duke punuar me kompanitë me bazë në Singapor dhe Hong Kong që përpiqen të joshin talente. Ata gjithashtu bashkohen me tajvanezët për të hapur kompani në ishull për të punësuar inxhinierë vendas, thonë hetuesit.
Lidhja gjermane
Autoritetet gjermane janë gjithashtu të shqetësuara mni përpjekjet e Kinës për të joshur inxhinierët nga furnizuesit e saj ASML.
Pasqyrat e specializuara të Zeiss SMT formojnë pjesën qendrore të sistemeve të përpunuara EUV të ASML, të cilat ndonjëherë kanë madhësinë e një autobusi. Teknologjitë e Zeiss konsiderohen aq të përparuara saqë selia e saj është e ndaluar për shumicën e vizitorëve. Pamjet në materialet e tij promovuese redaktohen me kujdes në mënyrë që të mos ndahen sekretet tregtare.
Kur punonjësit e Zeiss dalluan përpjekjet e Huawei për t’i marrë punonjësit përmes ofertave për paga shumë më të larta, ata ndanë profilet e rekrutuesve me menaxherët e tyre, sipas njerëzve me njohuri për atë që ndodhi. Megjithëse asnjë punonjës nuk u pushua, kryelobisti për kompaninë mëmë të Zeiss SMT e ngriti çështjen me zyrtarët e qeverisë, duke çuar në hetimin e inteligjencës gjermane, thonë njerëz të njohur me këtë çështje.
Zeiss dhe agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e njohur gjithashtu si BfV, nuk pranuan të komentojnë.
Më vonë doli se Huawei kishte synuar gjithashtu Trumpf, një kompani gjermane që prodhon një amplifikues lazer që krijon një burim të përqendruar drite për të prodhuar detaje të gjysmëpërçuesve, disa prej të cilave janë sa një pjesë e një kokrre rëre.
Një zëdhënës i Trumpf tha se “ka regjistruar gjithashtu qasje të shtuara nga kompani kineze si Huawei që synojnë punonjësit tanë”. Asnjë nuk pati sukses, tha ai.
Autoritetet e Berlinit nuk kanë ndërhyrë shumë në vendimet e biznesit, si për shembull kë mund të punësojnë punëdhënësit.
Berlini miratoi kohët e fundit legjislacionin që ndalon operatorët e telekomunikacionit të përdorin përbërësit Huawei në pjesë të ndjeshme të rrjeteve të Gjermanisë, duke i bërë jehonë kufizimeve më të rrepta që SHBA-ja vendosi ndaj Huawei në vitin 2020. Por aparatet dhe prodhimet e tjera të kompanisë kineze shiten ende në vend. Huawei drejton pesë qendra kërkimore në gjithë Gjermaninë që punojnë në sisteme optike dhe fusha të tjera.
Shumë zyrtarë qeveritarë janë skeptikë se përpjekja për joshjen e inxhinerëve dhe talenteve mund të parandalohet. Legjislacioni i ri që mund ta kishte bërë më të vështirë për kompanitë kineze rekrutimin e talenteve në Gjermani, ka të ngjarë të dështojë pasi qeveria e kancelarit Olaf Scholz u rrëzua.
Megjithatë, Friedrich Merz, kreu i Unionit Kristian Demokrat të qendrës së djathtë, i cili sipas sondazheve është kandidati më i mundshëm për t’u bërë kancelari i ardhshëm, ka mbajtur qëndrime më të ashpra ndaj Kinës.
“Kompanitë gjermane janë gjithashtu objektiv,” i tha ai televizionit gjerman DPA në një intervistë në fillim të këtij viti.
“Dhe kjo nuk është gjë e mirë aspak.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani