Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Muriqan një 30-vjeçar malazez, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për përdhunim


Policia Kufitare e Muriqanit ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime seksuale, i cili kërkohej nga autoritetet franceze.

Gjatë kontrollit në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin Albion Durakoviç, 30 vjeç, banues në Mal të Zi. Ky person ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Paris, pasi Gjykata e Tribunal Judiciaire De Bethune në Francë, më datë 29 korrik 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzat e “Përdhunimit” dhe “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur”, veprime të cilat janë parashikuar nga Kodi Penal i Francës

Kërkesa për arrestimin e këtij shtetasi erdhi pas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet franceze, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Paris, ka mundësuar kapjen e tij në kufi. Pas arrestimit, 30-vjeçari është vënë në pranga me qëllim ekstradimin në Francë, ku ai do të përballet me akuzat dhe masat ligjore për krimet e tij.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle intensive nga Policia Kufitare për parandalimin e goditjen e krimeve ndërkufitare si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I akuzuar nga autoritetet franceze, për veprat penale Përdhunim dhe Kryerje e marrëdhënieve seksuale me të mitur, kapet në hyrje në PKK Muriqan dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimi në Francë, 30-vjeçari nga Mali i Zi.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

A. D, 30 vjeç, banues në Mal të Zi.

30 vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Paris/Francë, pasi Gjykata e Tribunal Judiciaire De Bethune/Francë, datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Përdhunim” dhe “Kryerje e marrëdhënieve seksuale me të mitur” parashikuar nga Kodi Penal i Francës.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Parisin/Francë, për ekstradimin e 30-vjeçarit drejt Francës.