Sulmi terrorist me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit dy ditë më parë është më i rëndi në Kosovë që pas përfundimit të luftës. Kanali u shpërthye duke shkaktuar vështirësi të mëdha në furnizimin me ujë dhje energji elektrike. Kryeministri Kurti ka fajësuar për sulmin Serbinë ndërsa janë arrestuar disa persona të dyshuar.
“Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes nuk ka mundësi që këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarët e zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është profesioniste për veprime të tilla terroriste dhe aftësinë, kapaciteti, interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, tha Kurti pas sulmit.
Pas ndërhyrjes së shpejtë, është rivendosur rrjedha e ujit në kanalin e Ibër-Lepencit ndërsa vijon puna për riparimin e plotë të dëmit. Pas mbledhjes së menjëhershme të Këshillit të Sigurisë u miratuan masa shtesë të menjëhershme duke bërë që ushtria e Kosovës dhe policia të marrin në mbrojtje të gjitha objektet e rëndësisë jetike.