Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump tha se do u kërkonte vendeve që janë pjesë e BRICS – një grup i ekonomive në zhvillim të mbështetur nga Kina dhe Rusia – që të mos krijojnë monedhë të re ose do përballen me tarifa 100% gjatë administratës së tij.
“Ideja që vendet e BRI CS po përpiqen të largohen nga dollari ndërsa ne rrimë e i shohim ka përfunduar. Ne kërkojmë një angazhim nga këto vende që ata as nuk do të krijojnë një monedhë të re BRICS, as nuk do të mbështesin ndonjë monedhë tjetër për të zëvendësuar dollarin e fuqishëm amerikan ose, ata do të përballen me tarifa 100% dhe duhet të presin t’i thonë lamtumirë shitjes në ekonominë e mrekullueshme të SHBA-së”, postoi Trump në Truth Social të shtunën pasdite.
BRICS përbëhej nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut që nga viti 2011. Më herët këtë vit, Irani, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Egjipti u bashkuan zyrtarisht – zgjerimi i parë në më shumë se një dekadë. Tridhjetë e katër vende kanë paraqitur interes për t’u bashkuar me bllokun e ekonomive të mëdha në zhvillim, tha në shkurt ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Naledi Pandor.
Udhëheqësi i një vendi anëtar, Luiz Inácio Lula da Silva i Brazilit, në vitin 2023 propozoi krijimin e një monedhe të përbashkët në Amerikën e Jugut për të zvogëluar varësinë nga dollari amerikan.
Përdorimi i monedhave BRICS dhe rrjeteve bankare jashtë sistemit të shprehur në dollarë amerikanë mund të lejojë vendet anëtare si Rusia, Kina dhe Irani të shmangin sanksionet perëndimore. Por mundësitë për një monedhë të re janë ndoshta të pakta për shkak të dallimeve ekonomike dhe gjeopolitike të aleancës.
Grupi në zgjerim është i vlefshëm për Kinën pasi synon të krijojë partneritete më të ngushta me lojtarët kryesorë për të sfiduar udhëheqjen globale të Shteteve të Bashkuara. Dhe është gjithashtu një ndihmë për Rusinë, e cila është shmangur ekonomikisht dhe diplomatikisht nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Këtë vit, Rusia mori kryesimin e rradhës të grupit.