Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Do vendosim minimumin jetik 200 euro, pagën mesatare 1200 euro


Minimumi jetik për çdo shqiptar do të jetë 200 euro dhe rroga minimale 500 euro.

Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha gjatë një tryeze me ekspertë lidhur me projektbuxhetin 2025.

Në qoftë se, kemi të ardhura të supozojmë 100 lekë, ato do përdoren për realizimin e të gjitha objektivave tona për investimin tek njeriu, tek jeta e tij, tek përballimi i saj, tek begatimi i tij dhe pastaj do kenë destinacion tjetër”, u shpreh Berisha.

Ai tha se në buxhetin e parë të PD-së do të vendoset minimumi jetik 200 euro si fillim, ndonëse ky është 3 herë më i vogël se në Itali, atje, ku ushqimet janë më lirë se sa këtu.

“Ky minimum jetik do të shtrihet për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, ose nuk merr. Mbi këtë minimum jetik, do të rriten pensionet me 20% me objektiv, dyfishimin e tyre, do të rriten rrogat minimale. Rroga minimale do të jetë 500 euro, dhe nuk do të ketë rrogë minimale nën 500 euro, pavarësisht nga efektet që mund të më thotë kush se do ketë në punësime e të tjera me radhë”, tha Berisha.

Dhe në vijim, kreu demokrat theksoi se rroga mesatare do të jetë 1200 euro, ndërsa rroga maksimale nuk do të lëvizë, sepse rroga maksimale në Shqipëri është më e larta se në Kroaci, se në Slloveni, se në vende të tjera.

“Nuk premtoj kategorikisht lugë të artë, por në mënyrë absolute shqiptarët do të dalin në krye për rrogat e tyre dhe pensionet, në krye të rajonit, sepse nuk ka asnjë vend tjetër me pasuritë që ka Shqipëria, asnjë tjetër. Pasuritë e saj janë të pafundme.

Kështu që, i gjithë programi ynë do të ketë këtë objektiv kryesor, e gjithë shpërndarja e të ardhurave këtë objektiv kryesor.

Normale është, që çdo shqiptar do shtrojë pyetjen: ku do gjejnë këta paratë?

Së pari, me përgjegjësi të plotë u them qytetarëve shqiptarë se, paratë janë dhe se nuk do mbetet asnjë kilometër rrugë pa ndërtuar. Jo, asnjë punë publike pa bërë. Jo.

Po nuk ndërtohen kurrë rrugë dhe punë publike me çmim të dhjetëfishtë krahasuar me Kroacinë që e kemi ngjitur, vend anëtar i BE.

Shiko se çfarë janë këta? Ua indeksojnë pensionet pensionistëve po të marrësh rreth 30% në 12 vite, dhe iu thonë se kaq janë rritur. Po indeksi i materialeve të ndërtimit sa është rritur?

Është rritur më shumë se kaq. Jo, jo mund të jetë edhe më pak. Po sa paguhen shqiptarët për punë, pavarësisht nga kjo rritje, ta zemë 30 apo 35%?

Shqiptarët paguajnë 10 fishin. Praktikat më të padëgjuara ndonjëherë, kurrë”, tha Berisha.