Nga Edmond Arizaj
(Gjysëm portret politik gjashtë muaj para zgjedhjeve)
Ky njeri që nuk duhet të ishte më në politikë që prej 1994 (referendumi për kushtetutën), që duhet të fshihej nga politika në 1996, që duhej të jepte llogari jo vetëm politikisht në 1997, e që jo vetëm politikisht nuk duhet të kishte më tolerim pas 1998…u ringrit në 2001 e u ringjall në 2005.
I njëjti njeri, që moralisht e politikisht duhej të largohej nga politika në 2008 (shpërthimi në Gërdec), e që po i njëjti që jo vetëm politikisht duhet të përgjigjej për katër të vrarë në një protestë në 2011 (kush vallë mund të ulte shënjestrën pa lejen e tij?!), i njëjti që nga politika duhet të ikte jo vetëm me fjalë në 2013, po ai që në 2021-2024 pësoi sulme nga të gjithë krahët deri në ngujimin në kullën e Tiranës që për pak u kthye në vend pelegrinazhi, u ringrit në 2024, por a do të ringjallet sërish në 2025?
Minus-Minus
Sali Berisha sigurisht që ka vendin e tij në historinë shqiptare. Po, i ka bërë shumë dëm vendit, shumë dëm familjeve, shumë dëm shoqërisë, shumë dëm shtetformimit, shumë dëm të ardhmes, shumë dëm pronës…Këto, nuk kanë shenjë barazimi as me rrëzimin e komunizmit, që duan t’ia veshin Berishës si kostum e që nuk i shkon hiç, as me hyrjen në NATO, as me liberalizimin e vizave.
Nëse Berisha do ishte i mbarë, me atë mbështetje që dha SHBA-ja ato mote, do i kishim të gjitha këto brenda pesë viteve të para. Partia Demokratike e ngritur si një shpresë për Shqipërinë, sot është si problem në mes të vendit. Dëmet e dikurshme të Berishës, vetë qënia e Berishës frenon fort luftën politike ndaj një pushteti që gllabëron çdo gjë.
Hiperbola nga një film i mërzitshëm parë e riparë që prej qershorit 1997, ku Berisha ka fajet edhe për shtatzanitë e padëshiruara, por edhe pas kaq viteve të suksesshme. Por gjithsesi, Berisha nuk ka asnjë plus në CV e tij parazgjedhore. Të vetmet shpresa janë zullumet e pushtetarëve, që në vendin e shqiponjave shpesh shihen si aftësi e shkathtësi për t’u marrë shembull.
Luftë me të gjithë
Betejat të kalisin; ndoshta këtë ia kanë mësuar, e ndoshta edhe vetë Berisha ua ka mësuar nxënësve të tij dikur, para ‘90. Ai duhet të jetë njeriu më i kalitur në politikën shqiptare. Luftë për të rrëmbyer PD në lindjen e saj e një vit më parë nga delfini i vet, luftë me themeltarët e PD, luftë me kundërshtarët politikë, luftë me aleatët, luftë me bashkëpatriotët, luftë me shqiptarët, luftë me miqtë e huaj…
Po ta mendosh, Berisha në jetën e tij politike nuk ka pasur përplasje vetëm me ishujt Fixhi. Ai edhe nëse nuk ka armiq, i krijon. Nuk jeton dot pa të tillë. Nuk mund të funksionojë dot pa sulmuar dikënd, apo diçka. Pra dhe nuk mund të imagjinohet një Berishë që nuk flet kundër dikujt, por flet për diçka. Berisha është lider i “sulmo i pari”.
PD, vogëlushja e tij e parritur
Berisha nuk e lejoi kurrë PD të bëhej e madhe. Madje edhe kur ajo i kishte mundësitë, ai i mbyllte gjithë dyert e tjera, duke lënë hapur vetëm deriçkën ku ishte vetë portier. Si vallë do të ishte PD pa Berishën?! Pa Berishën edhe në prapaskenë.
Askush nuk mund ta imagjinojë, por sipas meje një gjë është e sigurtë; pa Berishën PD nuk do të qëndronte në opozitë më shumë se katër deri në tetë vjet në rastin më të keq, Shqipëria nuk do të dukej si e rikthyer në vitet para 1986, vetëm se në drejtim, në vend të “bijve më të mirë të Partisë” janë bijtë e tyre, nipërit, mbesat, farefisi dhe besnikët.
Berisha nuk lejoi kurrë (nuk diti, apo nuk donte?!) që PD të rritej, të piqej, të evolonte. Ai u soll me të si me një copë bjeshkë që i takon si trashëgimi, pa letra vërtetë, por që gjithë fshati e di që është e tij. E vijmë në pikën qorre, kur PD vihet në mbrojtje të pensionistëve, ndërsa PS në ndihmë të ish-pronarëve dhe ish- persekutuarve.
Problemet me drejtësinë
Berisha ka pasur përafrim me hunët në sjelljen ndaj drejtësisë. Shkatërrim, nënshtrim, vasalitet dhe haraç. Nuk mund të imagjinohet një anëtar i drejtësisë që t’i dilte kundër Berishës. Guximi paguhej me shkarkim e kërcënim.
Dhe jo në mënyrë të kamufluar. Hapur.
Megjithatë për Berishën nuk ka vlerë “drejtësia vonon, por nuk harron”, por më shumë “drejtësi e vonuar, drejtësi e harruar”. Ta akuzosh Berishën për ndikim përfitimi kundrejt familjarëve, është njësoj si të akuzosh Carlo Ponzin për kalim të semaforit me të verdhë. Peta e parë e byrekut duhet të ishin skemat piramidale në Shqipëri, kush i mbështeti, kush i krijoi, kush përfitoi. Sepse aty mori rrokopujën vendi.
Drejtësia për Berishën nuk do të jetë kurrë e mirë, sepse ai është mësuar “ta punojë”, dhe jo të bëjë rolin e Rapunzelës për një vit me vendim të drejtësisë. Por nëse diku mendojnë se e shkatërrojnë, turpërojnë, a eleminojnë Berishën, atëherë duket se nuk e njohin. Berisha i njeh këto terma vetëm në kurrizin e të tjerëve.
Çfarë ka mbetur nga “perandoria” e tij?
Bashkëpunëtorët e sotëm të Berishës krahasuar me vite të shkuara, janë në kufijtë e groteskut. Thjeshtë bëjnë hesap si të jenë sërish, apo rishtaz në Parlament. Biznesmenë pranë tij sigurisht që nuk ka, të paktën hapur. Janë mbledhur të gjithë rreth Ramës, madje edhe ata që kanë përfituar me Berishën (besa e shqiptarit si purteka e arit).
Mediat janë të gjitha me Ramën, nga ato më kryesoret e deri tek periferiket. Sigurisht Berisha nuk ka me çfarë i ndjell. Ministra, zv/ ministra, drejtorë, kryetarë komunash e bashkish, me përfitime shumë në kohën e Berishës, kanë zënë sgëqet e tyre brenda apo jashtë vendit, e këndojnë këngën “lëmë o Zot të rroj”.
Berisha është pothuaj i vetëm. Rama ia ka marrë të gjithë, biznesin, mediat, atë pak elitë intelektuale, dhe tani po tenton t’i marrë edhe diasporën. Në zgjedhje ai shkon me lëkurën e tij, dhe me shpresën e indinjatës popullore ndaj keqqeverisjes.
Është një bast ku arsyeja nuk i lë vend dëshirës, e ku vetë egzistenca politike e Berishës e zbeh dëshirën. Rreth 40 përqind “gri” që arsyetojnë para se të votojnë, do ta kishin më të thjeshtë pas gjashtë muajsh të dilnin nga labirinti i Minotaurit edhe pa ndihmën e fillit të Arianës, se sa të dilnin në një përfundim logjik kujt duhet t’i japin votën.
Ka gjë me Trump?
Është pak qesharake përpjekja e bashkëpunëtorëve të Berishës të lidhin çdo ngjarje në Shqipëri me Amerikën dhe Trump. Imagjinoni, në konferencën e parë për shtyp të Trump të vijë pyetja: Ç’mendoni për heqjen e masës së sigurisë ndaj zotit Berisha? Si mund të ishte përgjigja e Trump?
Me dhimbje duhet ta pranojmë se Trumpin nuk e shqetësojnë se ç’ndodh a thuhet në një vend sa dy lagje të New Yorkut. Nëse do ishte kështu, do e kishim parë një reagim kur Rama tha: Mos e dhëntë Zoti të fitojë…Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet se është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Le të gëzojmë të ngrohtin e sqetullës amerikane, e të mos marrim rolin e atyre që vendosin Shqipërinë si origjinë të Botës, e shqipen si kyçin e të gjitha gjuhëve. Nëse Berisha rifiton shqiptarët, ka fituar “Trumpin”.
Fitues?
Sa të jetë gjallë Berisha, nuk do të ketë tjetër kryeministër nëse PD fiton. Është budallëk nëse ndokush mendon të kundërtën. Është pak a shumë si Rama. Vetëm se Berisha përdor sëpatën dhe ashpërsinë, Rama bisturinë dhe llogarinë.
Gjithsesi Berisha nuk ka ndonjë projekt qeverisës. Nuk ka as ndonjë plan ambicioz, të paktën të shfaqur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Po, gati mund të jenë drejtorët, zv/drejtorët, shefat e komisariateve, kryebashkiakët, etj, të mbetur në letër që nga 2017, me ndryshime të vogla në 2021.
Si do ta mundë këtë makineri shtypëse me para, me të fortë, me pushtet, me frikë, me patronazhistë, me biznes, me media?
Po lëmë mënjanë pse njerëzit votojnë kundër qeverisë, sepse edhe ata që lahen vetëm në det, ua ka qejfi ta ndryshojnë ndonjëherë ujin e të shkojnë në liqen, por Berisha vetë, Partia Demokratike, pas 12 vitesh opozitë, pas qindra abuzimeve nga qeveria, pas dhjetëra ministrash, kryebashkiakësh e drejtorësh në burg, pas ikjeve pothuaj eksod nga vendi i rinisë dhe shtresës së mesme, pas bërjes publike të lidhjeve dhe ndërhyrjes së krimit në paratë publike e në votim…çfarë ofrojnë?!
Fund
A do të ringjallet sërish feniksi Berishë?! Ata që e urrejnë mund të më mallkojnë për këtë pyetje. Ata që e duan, mund të më mallkojnë sërish, sepse në sytë e tyre ai ka qenë përherë i gjallë. Nuk ka rrugë të mesme me Berishën. O dashuri, o urrejtje.
Në një vend, ku vendasit nuk e çajnë kokën për votën dhe fjalën, ku politikanët e lartë janë ithtarë të autokracisë e pashallizimit, ku çdokush përpiqet me sa mundet t’ia kllasë çdokujt, ku krimi dhe përfituesit marrin përmasa romantike, kjo përpjekja e re e Berishës nga izolimi drejt pushtetit mund të nisë t’i ngjajë romaneve kalorsiakë dhe të vërtetave historike ku Rosinanti ngatërrohet me Merengon, Sanço Pançot me Fushetë, e Dylqinja e Tobozës me Josephinën.
Dikush duhet ta trondisë realisht pushtetin e pakufi të Ramës. Meqë PD është e pazonja të gjejë tjetër udhëheqës që t’i çojë drejt fitores, meqë drejtësia nuk ka gjetur asgjë të zhdrejtë deri më sot kundër tij, meqë shoqëria nuk arriti të nxjerrë një figurë përfaqësuese pa shumë hije, atëherë shqiptarët janë të dënuar që shpresën për mbrojtjen e demokracisë ta kenë tek një prej armiqve të saj, Sali Berishës. Llogaria e Berishës është e thjeshte: Edhe me humbje, ai është i ringjallur.