Presidenti rus Putin ka miratuar një buxhet rekord mbrojtjeje, duke lënë mënjanë një të tretën e shpenzimeve të përgithshme të qeverisë, ndërsa lufta në Ukrainë po gëlltit burimet nga të dyja palët gati tre vjet më vonë.
Buxheti për vitin 2025, që u publikua të dielën, akordon rreth 126 miliardë dollarë për mbrojtjen kombëtare, duke arritur në 32.5% të shpenzimeve qeveritare.
Buxheti i mbrojtjes është rreth 28 miliardë dollarë më i lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur këtë vit.
Buxheti i ri trevjeçar parashikon një ulje të lehtë të shpenzimeve ushtarake për vitet 2026 dhe 2027. Ligjvënësit në dy dhomat e parlamentit rus e miratuan atë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Moska aktualisht po arrin të përparojë në pikat kyçe përgjatë vijave të frontit dhe po lufton një kundërofensivë në rajonin e Kurskut, vendi i suksesit të vetëm të madh ushtarak të Kievit këtë vit.
Por lufta e ngadaltë, e rëndë, ka shteruar burimet e dy vendeve.
Rusia ka rritur masivisht shpenzimet e saj ushtarake gjatë dy viteve të fundit dhe ekonomia e saj po shfaq shenja lodhjeje, shkruan CNN. Inflacioni është i lartë dhe kompanitë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Në përpjekje për të kontrolluar gjendjen, Banka Qendrore Ruse rriti normat e interesit në 21% në tetor, më të lartat në dekada.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të marrë ndihmë të konsiderueshme ushtarake nga aleatët e saj.
Të hënën, kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në Kiev për herë të parë në më shumë se dy vjet, ku ai premtoi më shumë se 650 milionë eurosh në pajisje ushtarake për Ukrainën.