Vendosni fjalën kyçe....

Eurodeputeti austriak kërkon hetim ndërkombëtar për sulmin në Kosovë


Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka debatuar për sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, shprehu shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në veri të Kosovës, teksa rikujtoi se Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, që tha se e destabilizojnë Kosovën.

Ndërkohë, disa deputetë të Parlamentit Evropian, edhe pse kanë shprehur solidaritetin me Kosovën, kanë thënë se duhet të shohin më shumë prova rreth përfshirjes së autoriteteve të Serbisë në sulmet në veri dhe disa prej tyre kanë kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Faleminderit për këtë prezantim goxha tronditës por edhe të qartë. Të gjithë kemi arsye për të refletuar mbi këtë situatë, dhe të gjitha vrojtimet që patët mbi atë që ka ndodhur. Kur ta kemi presidentin Vuçiq në Bruksel nesër, do të shohim si do të reagojë. Duhet të shohim se çfarë ka ndodhur. Sigurisht se duhet të kontrollohen të gjitha dokumentet, megjithëse mund të jetë e vështirë të kuptohet çdo gjë. Janë bërë pretendime goxha serioze, por pyetja e parë doi të ishte çfarë provash tashmë janë vënë në dispozicion në mbështetje të këtyre pretendimeve apo akuzave. Besoj fuqimisht se edhe organi ekzekutiv siç është Komisioni Evropian do të duhej t’i merrte këto gjëra shumë seriozisht nëse të gjitha këto që i keni thënë ju dëshmohen të vërteta. Por duhet të kemi fakte”, tha Michael Gahler eurodeputet nga Gjermania pas fjalimit të Donika Gërvallës.

Thomas Waitz, eurodeputet nga Austria vuri në pah nevojën për një hetim ndërkombëtar të rastit në Varagë të Zubin Potokut.

“E mirëpres faktin që Serbia ka thënë se dëshiron të jetë pjesë e hetimit, por e mbaj mend që edhe pas Banjskës e kanë thënë të njëjtën gjë, por që nuk ka ndodhur asgjë më tutje. Duhet të shihet se kush është përgjegjës. Qeveria serbe duhet ta theksoj se shumë nga ata janë në Serbi, janë të komunitetit serb dhe normalisht kanë marrë një orientim ekstremist dhe kjo duhet të theksohet edhe në bazë të ngjarjeve që kanë ndodhur. Unë pres që Qeveria e Serbisë të shpreh gatishmërinë të luftojë këta terroristë edhe brenda territorit të Serbisë. Fakti që jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën është pjesë e mesazhit që i kemi përçuar Rusisë dhe gjithë atyre që synojnë destabilizim. Është koha e fundit që pesë shtetet e mbetura të BE-së ta njohin Kosovën si shtet i pavarur dhe ky është sinjali kyç që ta promovojmë paqen dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.” – tha Waltz, teksa i bëri thirrje pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën, shkruan RTK.