Vendosni fjalën kyçe....

“U përndoq politikisht” – Shtëpia e Bardhë mbron faljen e Hunter Biden nga babai president


Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti Joe Biden e fali djalin e tij Hunter pjesërisht për ta mbrojtur atë nga persekutimi i ardhshëm nga kundërshtarët politikë, por masa e tij tërhoqi kritika të ashpra, me disa demokratë që thanë ai minoi besimin e publikut në sundimin e ligjit.

Demokrati Biden, mandati i të cilit përfundon më 20 janar, kur presidenti i sapozgjedhur republikan Donald Trump merr detyrën, nënshkroi një falje të pakushtëzuar për Hunter Biden të dielën dhe tha se besonte se djali i tij ishte ndjekur penalisht në mënyrë selektive dhe ishte vënë në shënjestër të padrejtë nga kundërshtarët politikë të presidentit.

Biden tha në të kaluarën se nuk do e falte djalin e tij, duke përfshirë deklaratat në ABC Neës në qershor kur u pyet nëse e përjashtonte kategorikisht këtë gjë dhe u përgjigj “po”.

Lëvizja e tij e befasishme u kundërshtua nga republikanët, por edhe nga demokratët të cilët thanë se ajo gërryente besimin në sistemin gjyqësor, një koncept që Biden dhe partia e tij kishin përdorur për të kritikuar Trump-in.

Hunter u ndoq penalisht për shkelje tatimore dhe akuza në lidhje me posedimin e një arme zjarri. Ai u akuzua prej vitesh nga republikanët në Kongres se kishte bërë marrëveshje biznesi duke përdorur emrin e babait të tij.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre të hënën mbrojti veprimin e presidentit dhe tha se Biden besonte se Hunter përballej me persekutim të mëtejshëm nga kundërshtarët e tij, të cilët ajo nuk i përmendi. Jean-Pierre ishte ndër zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë që kishte thënë vijimësisht në të kaluarën se Biden nuk do e falte djalin e tij.

“Një nga arsyet pse presidenti e fali të birin është se ishte i bindur se kundërshtarët e tij politikë nuk do e ndalnin persekutimin e tij.” – u tha ajo gazetarëve gjatë një fluturimi të avionit presidencial në Angola.

“Ata do vijonin ta përndiqnin djalin e tij. Kështu beson ai.”

Jean-Pierre theksoi se kjo nuk ishte hera e parë që një president falte një anëtar të familjes. Bill Clinton fali gjysmë vëllanë e tij Roger para se të largohej nga detyra dhe Trump vjehrrin e vajzës së tij, Charles Kushner.

Jean-Pierre tha se Biden besonte në Departamentin e Drejtësisë pavarësisht deklaratës së tij se procesi i djalit të tij në sistemin gjyqësor ishte “i infektuar” nga politika.

Ajo nuk pranoi të jepte hollësi të mëtejshme se pse dhe si Biden kishte ndryshuar mendje.

Republikanët akuzuan Biden-in për gënjeshtra. Demokratët u ndanë, me guvernatorin e Kolorados, Jared Polis që sugjeroi se ai vendosi familjen mbi vendin, ndërsa ish-Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Eric Holder tha se falja ishte e garantuar.

“Joe Biden ka një mundësi për të bërë më shumë sesa të mbrojë të tijën. Ai mund të tregojë të njëjtën dhembshuri që i tregoi djalit të tij për miliona njerëz të bllokuar në burgje për vepra jo të dhunshme,” tha Black Lives Matter në një postim në X.

Neë York Times raportoi se Biden ishte i shqetësuar se presioni i gjyqeve mund të ndikonte në jetën e djalit të tij dhe se dukej se nuk ishte marrë parasysh asgjë përveç një faljeje të plotë.

Hunter Biden u deklarua fajtor në shtator për akuzat federale për mospagim taksash në gjykatën federale në Los Anxhelos dhe do dënohej më 16 dhjetor nën Mark C. Scarsi, një gjyqtar i emëruar nga presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump. Një juri e shpalli atë fajtor në qershor për dhënien e deklaratave të rreme mbi një kontroll të historisë së armëve. Ai do dënohej edhe këtë muaj për ato akuza.

Biden tha të dielën se djali i tij ishte ndjekur penalisht dhe trajtohej ndryshe nga të tjerët me situata të ngjashme.

“Asnjë person i arsyeshëm që shikon faktet e rasteve të Hunterit nuk mund të arrijë ndonjë përfundim tjetër përveçse Hunter u godit në mënyrë selective vetëm sepse ai është djali im dhe kjo është e gabuar,” tha ai.

Të dielën vonë, avokati i Hunter Biden bëri kërkesë për të hedhur poshtë aktakuzat kundër tij.