Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti 2025/ Ministri Manja: 17% rritje për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë


Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gjatë diskutimit në Kuvend të amendamenteve për projektbuxhetin 2025, Manja theksoi se fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve në vitin 2024 ishte 1.2 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e viti 2025 është 1.4 miliardë lekë, ose 17% me rritje.

“Ministria e Financave ndjek shpërndarjen e kësteve të radhës. Në dijeninë time për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë është drejt fundit kësti i katërt dhe së shpejti do të fillojë lëvrimi i këstit të pestë, por gjithsesi buxheti vjen me rritje. Në vitin 2026 do të jetë 1.6 miliardë lekë dhe në vitin 2027 do të jetë 2 miliardë lekë. Këto janë mundësitë financiare të këtij buxheti për të shlyer borxhin moral që ne të gjithë si shoqëri kemi. Nuk po u japim asnjë gjë përveçse atë të cilën ata e paguan me burgun e padrejtë por edhe me vitet që humbën në këto burgje dhe kampe internimi”, tha Manja.

Manja kujtoi se deri në vitin 2013 ish-të përndjekurit politikë ishin në proces për marrjen e këstit të dytë, ndërkohë që kësti i parë ishte shpërndarë gjysma-gjysma.

“Ndërsa ata që kanë vuajtur fizikisht në burgjet e regjimit komunist në dijeninë time janë shlyer të gjithë. Fakti është se sot ajo kategori që janë përfitues sipas ligjit nuk përfshihen në kategorinë përfituese. Efekti në buxhetin e shtetit është diku te 18 milionë euro por do të jetë në nderin tonë që ne t’ua njohim këtë të drejtë. Pastaj masa e shlyerjes dhe kompensimit është çështje si gjithë të tjerët që përfitojnë nga kjo skemë, kanë vite. Në vitin 2013 ish-të përndjekurit politikë ishin në proces për marrjen e këstit të dytë”, tha ai.