Bashkia e Tiranës ka propozuar një projekt të ri për ndërtimin e banesave sociale, duke përcaktuar dy pasuri të reja si zona në zhvillim në rrugën “Hamdi Pepa”.
I gjithë projekti do të financohet nga fondi i banesave sociale.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se zona e re ku do ndërtohen banesat sociale, ka të gjitha shërbimet e nevojshme pranë.
“Bëhet fjalë për të ndarë një pasuri që është pronë e Bashkisë së Tiranës, për ta dedikuar për banesat sociale.
Bashkia e Tiranës ka mbledhur një fond të banesave sociale, të cilat jemi gati ta investojmë. Bëhet fjalë për të gjithë zonën që përshkruhet mes Unazës së Madhe, para se të shkojmë te rruga “1 Qershori” dhe rrugës “Hamdi Pepa”, aty kemi një treg ushqimor, ku sigurisht në ambiente e reja jemi po ashtu të gatshëm, që në pjesët e shërbimit të akomodojmë tregtarë, por është mëkat, që në një qytet që ka nevojë për banesa sociale, ne të përdorim atë hapësirë dhe një tokë që vlen shumë në Tiranë, ekskluzivisht vetëm për shitblerje.
Ndërkohë, mund të përdorim katin e parë për shitblerje dhe katet e tjera për të strehuar njerëz. I kemi bërë të gjitha procedurat edhe për të marrë statusin nga Enti i Banesave, edhe për efekt të Hipotekës dhe shenjimit dhe rilevimit të zonës dhe gjykojmë që nëse marrim pëlqimin e Këshillit Bashkiak, është një zonë ideale për banesa sociale. Një zonë e aksesueshme, si me makinë, autobus, me stacion të autobusit, një zonë që ka po ashtu shkollat afër.
Sapo kemi bërë shkollën “1 Qershori”, ndërkohë që po përgatitemi për shkollat e reja prapë tek zona e lagjes Rilindja dhe Unazës së Madhe. Në këtë sens, i kemi parë edhe çështjet dhe le të themi ndërlidhjet mes komunitetin tashmë ekzistues”, tha Veliaj.