Në Kuvend po diskutohet nen për nen Buxheti 2025, por edhe diskutohen amendamentet e propozuara nga ana e Opozitës, mbi 50 të tilla.
Deri tani janë rrëzuar të gjitha amendamentet e propozuara dhe diskutuara, kurse seanca është ende në proces.
Mazhoranca vlerëson se Buxheti i propozuar me gjithë shtesat nga Komisionet është i pranueshëm, pasi janë dëgjuar të gjitha ankesat dhe propozimet ekonomike për shumë sektorë dhe janë aprovuar shtesat me mbi 2,3 mld lekë.
Por Opozita, kryesisht PD, ka këmbëngulur për amendamentet e saj në fusha të ndryshme.
Aktualisht janë rrëzuar me shumicë votash nenet 12, 13 dhe 14 të diskutuara për propozimet e PD dhe ato të Komisioneve.
Respektivisht u rrëzuan amendamentet e deputetes Sorina Koti, në të dy propozimet, me 17 vota pro dhe 57 kundër, sikurse edhe ai i Jorida Tabakut me 69 vota kundër, si dhe një i katërt me 62 vota kundër dhe 22 pro, i propozuar po nga PD.
Por mazhoranca miratoi vendimin e Komisioneve për të tre rastet në fjalë me shumicë votash, proces i kryer në votim me kartonë, ndryshe nga ai i amandamenteve që ishte elektronik.