Vendosni fjalën kyçe....

“Më akuzojnë se kam shitur hotel Dajtin për bonusin e pensionistëve”, Berisha-Ballukut: Nëse e kam bërë, kam bërë gjënë më të mirë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së lidhur me akuzat e maxhorancës për shitjen e Hotel Dajti për të financuar bonusin e pensionistëve.

Berisha e ka cilësuar këtë veprim si “gjënë më të mirë” nëse ka ndodhur, duke theksuar se nëse ka shitur hotelin për këtë qëllim, ka kontribuar në një nismë të mirë.

Ai ka kritikuar gjithashtu qeverinë për dhënien e tokave me çmim simbolik, ndërsa theksoi se qeveria e PD-së do të kishte nxjerrë ato prona në treg dhe do t’i kishte përdorur për të ndihmuar pensionistët.

Berisha ka shprehur vlerësimin për punën e grupit parlamentar të PD-së, duke theksuar se kanë përgatitur një propozim buxheti që do të jetë “alfa” e programit të tyre politik.

Ai theksoi se amendamentet e propozuara do të miratohen gjatë vitit të parë të qeverisjes së PD-së. Sipas Berishës, maxhoranca po kryen vjedhje të pasurive publike dhe po krijon një diferencë të madhe mes pagave dhe pensioneve, duke pasur një mungesë të ndjeshmërisë për qytetarët dhe pensionistët që kanë kontribuar gjatë gjithë jetës.

“Unë dua të shpreh sot vlerësimin më të madh për përkushtimin dhe punën që keni bërë në debatin për procesin themelor vjetor për çdo parlament dhe çdo vend, që është buxheti.

Mendoj se në diskutimet dhe në përgatitjet që bëri grupi parlamentar, jashtë propagandës, bëri gjithçka për të adresuar problemet më të dhimbshme, më të mprehta të shoqërisë së sotme shqiptare, të krijuara nga kjo vjedhje që tejkalon çdo imagjinatë të fondeve dhe pasurive publike, por të shoqëruara nga një humbje totale e ndjeshmërisë të atyre që vjedhin nga viktimave të tyre, qytetarëve.

Mjafton t’u rikujtoj këtu se si Lubi Balluku përsëriste dje, duke kujtuar se më akuzonte, se ka shitur Hotel Dajtin për t’u dhënë bonusin pensionistëve.

Po në qoftë se e kam bërë për atë qëllim, kam bërë gjënë më të mirë.

Ua them ju këtu, kur shoh që ky u ka dhënë trafikantëve 6 milionë metër katrorë troje turistike me 1 euro, kurrë një mijë herë para qeveria jonë do i nxirrte në treg ato dhe paratë do ua jepte pronarëve dhe pensionistëve dhe kurrë nuk mund të vepronte në këtë mënyrë.

Pra, u kishim dhënë paratë e Hotel Dajtit pensionistëve, sikur ua kishim dhënë armiqve të egër të shoqërisë shqiptare, jo njerëzve që në çdo rrafsh, asnjëherë nuk u del borxhit.
Nuk u del borxhit sepse janë prindër, janë gjyshër, nuk u del prindër se kanë shkrirë jetën në këtë vend, nuk janë larguar, kanë punuar këtu.

Nuk u del borxhit sepse në mënyrë të pamëshirë, krijon një diferencë të tmerrshme midis rrogës maksimale dhe pensionit të themi maksimal.

Në Shqipëri, rroga mesatare, është një e dhjeta e rrogës së Dumanit. Është një e shtata e rrogës së Edi Ramës.
Në SHBA, rroga mesatare është një e pesta e rrogës së presidentit. Pa diskutim. Në Gjermani e njëjta me rrogën e kancelarit dhe kudo.

Por vetëm ata që kanë mundësi që të shumëzojnë me zero qytetarët, i lejojnë vetes gjëra të tilla. Prandaj ne kemi bërë një gjë shumë të mirë. Keni bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë.

Edhe njëherë, ju lutem shumë, në të gjitha takimet me zgjedhësit, duhet t’ua bëni të qartë se do jenë alfa e programit tonë.

Ato amendamente do votohen vitin e parë të qeverisjes sonë.
Dhe ishte gjë shumë serioze, një përgatitje shumë serioze që u bë. Sigurisht që nuk do i pranonin dhe argumenti ishte se u kishim dhënë pensionistëve paratë e shitjes së Hotel Dajtit, po kjo na nderon.

Ua kishim dhënë armiqve.
Ia shitëm Bankës, i jam mirënjohës Bankës që e bleu, pavarësisht se ata e arrestuan Fullanin në verbëri, pa asnjë fakt për atë blerje, që ishte e tëra ligjore.

Po kullë aty nuk do ndërtohej. Nuk mund ta merrnin oligarkët atë.
E mori Banka, e ka rikonstruktuar, i ka ruajtur origjinalitetin e vet dhe ajo është ndërtesë që trashëgohet, që tregon se Tirana edhe në vitet ‘40 të shekullit të kaluar ka pasur ndërtim të tillë, e nderon”, u shpreh Berisha.