Zv.kryeministrja Belinda Balluku reagoi sot gjatë një tryeze diskutimi në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, e organizuar për të trajtuar dhunën ndaj grave në hapësirën dixhitale për deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kishte thënë se mezi qëndronte në Parlament “nga aromat e parfumeve”.
Balluku e cilësoi këtë koment si një shqetësim të panevojshëm, duke theksuar se deklarata të tilla nuk kanë rëndësi në punën e deputetëve.
Ajo theksoi se nuk është e qartë se kush ka aftësi të dallojë aromat e parfumit të deputetëve, duke shtuar se askush nuk ka hyrë në Parlament për të diskutuar për parfumet, por për të punuar dhe për të kontribuar në dobi të qytetarëve pasi roli i deputetëve në Kuvend është të drejtojnë komisione dhe të përfaqësojnë qytetarët, jo të diskutojnë për pamjen e tyre.
“Sot shikoja lajmet dhe pavarësisht se unë dje dhe koleget e mia kemi qenë në seancën parlamentare na merr dhe ne ajo rutina dhe ca gjëra i dëgjojmë, ca nuk i dëgjojmë. Po dëgjoja prononcime e copëza të ndryshme të mediave.
Dëgjoja kolegët tanë deputetë, nuk po i ndaj majtas apo djathtas, se ka pak rëndësi, sot këtu jemi të gjithë bashkë, tek flisnin që ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Se zakonisht gratë janë ato që mbajnë parfume apo akuzohen për parfume.
Unë nuk e di që në sallën parlamentare ne kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumet të cilat kushtojnë nga 100 lekë edhe shumë më shumë, por nuk e di kush i ka këto aftësi nuhatjeje për t’i ndarë se sa të shtrenjta janë dhe pastaj e thënë nga ai që po e thoshte nuk besoj që e ka këtë nuhatje në këtë moshë.
Ose dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës që tregonte se si ka ndryshuar disa prej grave të parlamentit në pamjen e tyre. Nuk e di se çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi në parlament. Nuk e di sa e rëndësishme është pamja e një drejtuesi komisioni?
Nuk e di sa e rëndësishme është pamja ime sepse unë vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash. Supozohet se është punë burrash se ne këtu kemi profesoreshën që vjen nga një fushë e supozuar burrash, inxhinieria e ndërtimit.”