Vendosni fjalën kyçe....

Shqyrtimi në “Kushtetuese” i ankimimit për listat e mbyllura, rrëzohet kërkesa e parë për pezullim


Ankimimi i shtatë partive, deputetit Lulzim Basha dhe tre të tjerëve për të shfuqizuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara në fund të korrikut nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u diskutua këtë të mërkurë në Gjykatën Kushtetuese.

Pas rreth 6 orëve seancë, “Kushtetuesja” rrëzoi kërkesën e parë të partive për pezullim.

Ata kërkuan ekzaktësisht pezullimin e zbatimit të neneve 67 dhe 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024. Interpretimi përfundimtar i nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimi i tij”.

Partitë ankimuese Partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, organizata “Shqipëria Bëhet”, partia “Nisma Thurje”, Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj, partia “Aleanca Demokracia e Re”, partia “Lëvizja Demokratike për Ndryshim”, partia “Kombëtare Konservat” i kërkuan Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën ndryshimeve që bënë duke mbyllur listën e kandidatëve për deputetë, në pjesën më të madhe të saj.

Kërkesa e plotë: “ Shfuqizimi i neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të neneve 67 dhe 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024. Interpretimi përfundimtar i nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimi i tij”.