Të paktën 30 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën sot në sulmet e fundit ajrore izraelite në jug dhe veri të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Të paktën 20 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën si rezultat i sulmeve ajrore me helikopterë mbi grumbuj njerëzish të zhvendosur dhe depo ushqimore në Al-Mawasi të Khan Younisit, tha një burim mjekësor për Anadolu.
Burimi konfirmoi se viktimat “ishin mbetje të djegura dhe trupa pa kokë”.
Në një sulm tjetër, dhjetë palestinezë u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën në një sulm ajror që synoi një shtëpi në lagjen Sheikh Radwan në veri të qytetit të Gazës, tha Mbrojtja Civile e Gazës për Anadolu.
Avionët luftarakë bombarduan një shtëpi banimi që i përkiste familjes Al-Dalo në zonën Al-Nafaq, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtëpitë aty pranë, shtoi ajo.
Mbrojtja civile gjithashtu vuri në dukje se ekipet e saj po punojnë për të shpëtuar të plagosurit dhe për të tërhequr trupat nga shtëpitë e shënjestruara.
Pavarësisht se është përcaktuar si një “zonë e sigurt humanitare” nga ushtria izraelite, Al-Mawasi ka qenë skenë e dhjetëra sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite gjatë ofensivës kundër Gazës.
Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 44.500 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 106.000.
Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr ragime ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullsinë palestineze.
Më 21 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.