Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka deklaruar se sulmet terroriste në Kosovë, të orkestruara nga Serbia dhe të frymëzuara nga Rusia, janë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të qëndrojë pasive ndaj rrezikut që i kanoset sigurisë së Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha ka kujtuar se që prej 22 janarit të këtij viti ka depozituar një amandament në Kuvendin e Shqipërisë për t’i garantuar 50 milionë euro ndihmë ushtarake Kosovës, por ky propozim është bllokuar nga mazhoranca aktuale. Ai theksoi se sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës kërkojnë një reflektim të thellë për sigurinë dhe një veprim të menjëhershëm nga Shqipëria.
Postimi i plotë i Bashës:
Sulmet terroriste në Kosovë, të orkestruara nga Serbia e të frymëzuara nga Rusia, janë kambana alarmi për paqen dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për arkitekturën e sigurisë së NATO-s në të gjithë Europën.
Ndërsa partnerët ndërkombëtarë të kombit tonë po kryejnë detyrën e tyre në funksion të përmbajtjes së këtij agresioni malinj, Shqipëria nuk mund të qëndrojë duarkryq kur cënohet siguria e Kosovës.
Prej 22 janarit të këtij viti kam depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një amandament për t’i garantuar 50 milionë euro ndihmë ushtarake Kosovës, i cili fatkeqësisht mbahet mbyllur në sirtaret e interesave të vogla e klienteliste të kësaj mazhorance.
Sulmet terroriste të përsëritura në veri të Kosovës thërrasin për reflektim mbi dinamikën e re të sigurisë, e po ashtu janë një apel për veprime konkrete nga ana e Shqipërisë.
Është koha që vendi ynë të flasë përmes veprave, duke investuar te siguria e Kosovës, që është garanci për sigurinë e gjithë rajonit.