Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi – Spiropalit: I ke dhënë vetëm grupit të PS draftin e Komisionit të Venecias/ Peleshi: I përket Kuvendit, jemi të interesuar të njihemi me të


Seanca plenare e Kuvendit nisi me debate, pasi Gazment Bardhi, kreu i Grupit të PD, akuzoi kryetaren Elisa Spiropali se ka shpërndarë vetëm mazhorancës draftin e Komisionit të Venecias për çështjen Xhaçka dhe ka krijuar një delegacion të vetëm nga PS për ta përfaqësuar Shqipërinë në këtë komision. 

Nga ana e saj, Elisa Spiropali e mohoi se mazhoranca ka marrë draftin, duke shtuar se ky dokument do të shpërndahet vetëm sipas rregullave të Komisionit të Venecias dhe se nuk ka asnjë dokument zyrtar për shpërndarje. Ajo theksoi se të gjithë deputetët, përfshirë ata të opozitës, janë të ftuar të marrin pjesë në diskutime dhe se drafti do të shpërndahet pas publikimit të tij.

Kreu i grupit të PS, Niko Peleshi, i cili mori fjalën gjithashtu, theksoi se kjo çështje është e lidhur me Kuvendin dhe se grupi i PS do të ishte i interesuar të njohej me draftin sapo të bëhej zyrtar.

Gazment Bardhi: Draft opinioni i Venecias i është paraqitur dhe në shkelje flagrante, ju keni njohur grupin e PS me draftin opinionin ndërkohë që të tre grupet parlamentare të opozitës s’iu keni vënë në dispozicion draft opinionin e Komisionit të Venecias.

E keni mbajtur të fshehur nga opozita, duke ia vënë në dispozicion vetëm mazhorancës. E keni detyrim, nuk e keni kërkuar si Elisa Spiropali, por si kryetare e Kuvendit, duhet ti trajtoni të gjitha grupet parlamentare në të njëjtën formë. Keni krijuar delegacionin që do përfaqësojë kuvendin gjatë seancës së shqyrtimit në Komisionin e Venecias. Për herë të parë delegacioni përbëhet vetëm nga deputetë të PS, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Gjithmonë përbërja ka qenë 4 anëtarë, 2 nga maxhoranca dhe 2 nga opozita.

Ky është rasti i parë në historinë  e Kuvendit që ju keni dërguar delegacion vetëm me deputetë të mazhorancës. Jemi shpallur armiq të popullit ne nga partia juaj në pushtet.

Këtë pushtetin tuaj do e shfrytëzoni për të shpallur Shqipërinë një partiake. Mos ndoshta dini se Bushka ka më shumë mend se ne deputetët e opozitës apo merr më shumë vesh nga çështjet e Kushtetutës apo konventave europiane.

Elisa Spiropali: Nuk ka asnjë dokument zyrtar të Komisionit të Venecias për të ndarë. Sapo të vijë do ndahet sipas rregullave të Komisionit të Venecias. Shumica nuk ka asnjë draft të komisionit të Venecias. Nesër është seanca, sipas rregullave të tyre bëhet publik. Mos spekuloni, nuk ka asnjë draft për të ndarë, sepse bëhet sipas rregullave të tyre. Do jem në seancë si kryetare e Kuvendit, si kërkesë që kam bërë. Unë ju kam bërë ftesë në çdo vizitë, kam kërkuar edhe prezencë të deputetëve të opozitës. Shpesh kemi marrë përgjigje refuzuese edhe për shkak të situatë politike e prezencës së deputetëve në Kuvend.

Gazment Bardhi: Keni marrë draft opinionin, keni detyrim të shpërndani katër grupeve parlamentare. Keni bërë delegacion një partiak. Do na hiqni të drejtën të japim mendime dhe këshilla, pasi keni refuzuar dy herë zbatimin e vendimit të Kushtetueses. Doni të përjashtoni opozitën nga ky proces.

Elisa Spiropali: Më vjen mirë që të gjitha grupet kanë qenë të përfshira në opinion dhënie në raport me këtë çështje. Komisioni i Venecias ka rregulla se si publikohen dhe kur, me kë ndahen. Meqë këmbëngulni në këtë pikë dhe paskeni komunikuar me drejtorin e Komisionit të Vencias, mund t’u kërkoni atyre një kopje dhe unë do konsultohem nëse është publik dhe a mund të shpërndahet në grupe parlamentare. Kryetari i Kuvendit nuk ka shpërndarë draft, grupi i PS nuk e ka draftin nga Kryetari i Kuvendit.

Niko Peleshi: Çështja të cilën që ju i jeni drejtuar Komisionit të Vencias, i përket Kuvendit. Të gjithë jemi të interesuar për atë mendim. Nëse do të vijë zyrtarisht një draft dhe ne si grup i PS do ishim të interesuar të njiheshim me të.