Vendosni fjalën kyçe....

Pr.ligji për faljen e gjobave, Nallbati: Keni 12 vite që masakroni njerëzit, tani u bëtë të dhembshur


Një situatë tensionuese u krijua në sallën e Kuvendit, ku deputeti i opozitës Bledion Nallbati bllokoi foltoren pasi kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërpreu fjalën për procedurë. Nallbati e quajti këtë një veprim të dyfishtë dhe akuzoi mazhorancën se, ndërsa legalizon ndërtimet pa leje në mes të Tiranës, arreston qytetarët e varfër që mbulojnë çatitë e shtëpive të tyre të dëmtuara nga shirat.

Nallbati theksoi se ligji për faljen e gjobave ishte paraqitur papritur, vetëm përmes një SMS-je, dhe akuzoi mazhorancën se po e përdorte Parlamentin për të kaluar ligje në minutën e fundit, pa transparencë. 

Spiropali i sugjeroi Nallbatit që, nëse kishte probleme me faljen e gjobave, mund të debatonte për të, por e quajti ndërhyrjen e tij si jo procedurale. 

Bledion Nallbati: U duk ashiqare që ato fletët e bardha paçavure ishin fletë të bardha me firma dhe s’kishte asnjë projektligj. Ju s’mund të talleni, u vijnë ligje me sms dhe na i prezantoni në minutë të fundit. Pse si bëjmë ndryshe, i votojmë sot dhe i shqyrtojmë javës tjetër. S’ka problem e bëjmë edhe këtë se ky Parlament nuk është se ka ndonjë rol tjetër.

Elisa Spiropali: Nëse doni të kapeni me faljen e gjobave, kapuni, por nuk besoj se u bën nder. Nuk është procedurë.

Bledion NallbatiFjalën ma dhe mua apo vetes.

(Spiropali i ndërpret fjalën)

(Nallbati bllokon Foltoren, Garda në gatishmëri)

Bledion Nallbati merr fjalën sërish: E ke ves të keq që i ndërhyn çdo deputeti në fjalë. A ka mundësi të mos i ndërhysh më deputetëve në fjalën e vet.

Nuk i mëson ti se çfarë do thonë. Me këtë dhembshurinë e faljes së gjobave na këputët shpirtin, ju që keni 12 vite që i masakroni njerëzit, nuk guxoni ti ndalni ata që ndërtojnë pallate e kulla në mes të Tiranës, ua legalizoni ndërtimet pa leje.

Kemi 12 vjet që arrestoni hallexhinj që mbulojnë çatinë se u shiu brenda, tani vutë zemrën dhe u bëtë të dhimbsen.

Na jepni ndonjë mjekim se po pësojmë ndonjë goditje zemre nga dhembshuria e madhe e këtyre që masakrojnë njerëzit.