Nga Layal Abou Rahal
Forcat rebele të udhëhequra nga islamistët kapën qytetin qendror sirian të Hamës të enjten, disa ditë pasi morën kontrollin e qendrës tregtare të vendit, Alepon, në një ofensivë të rrufeshme kundër forcave të Presidentit Bashar al-Asad.
Rebelët, të udhëhequr nga grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS), nisën ofensivën e tyre pak më shumë se një javë më parë, pikërisht në kohën kur një armëpushim mes Izraelit dhe aleatit të Asadit, Hezbollahut në Liban, hyri në fuqi.
Pas përleshjeve gjatë natës, rebelët sulmuan Hamën “nga disa drejtime” dhe u përplasën në luftime urbane nëpër rrugët e tytetit me forcat e Asadit, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Rebelët pretenduan se kishin marrë kontrollin e burgut të Hamës dhe kishin liruar të burgosurit. Në mesditë, ushtria siriane pranoi humbjen e qytetit, i cili ndodhet strategjikisht midis Alepos dhe bazës së pushtetit të Asadit në kryeqytetin Damask.
“Orët e fundit, me intensifikimin e përballjeve mes ushtarëve tanë dhe grupeve terroriste…këto grupe arritën të depërtojnë në disa akse të qytetit dhe hynë brenda tij,” tha ushtria në një deklaratë, duke shtuar se njësitë e saj ishin rigrupuar jashtë Hamës.
Në një video të postuar online, kreu i HTS-së, Abu Mohammed al-Jolani, tha se luftëtarët e tij kishin hyrë në Hamë për të “pastruar plagën që ka qëndruar e hapur në Siri për 40 vjet,” duke iu referuar shtypjes së Vëllazërisë Myslimane në vitin 1982, që shkaktoi mijëra viktima.
“Lus Zotin e Gjithëfuqishëm që kjo të jetë një fitore pa hakmarrje,” shtoi ai.
Rënia e shpejtë e qytetit ndodhi pavarësisht bombardimeve dhe sulmeve ajrore nga forcat siriane dhe ruse, raportuan mediat shtetërore të mërkurën në mbrëmje.
Maya, një studente 22-vjeçare që dha vetëm emrin e saj për arsye sigurie, tha të enjten se ajo dhe familja e saj qëndronin në shtëpi ndërsa luftimet vijonin jashtë.
“Po dëgjojmë pandërprerë zhurmat e shpërthimeve dhe bombardimeve,” tha ajo për AFP në telefon nga Hama.
“Nuk dimë çfarë po ndodh jashtë.”
Lideri rebel viziton kalanë
Observatori, i cili mbështetet në një rrjet burimesh në Siri, raportoi se 727 persona, kryesisht luftëtarë, por edhe 111 civilë, kanë humbur jetën në Siri që nga shpërthimi i dhunës javën e kaluar.
Kjo përbën përballjen më intensive që nga viti 2020, në një vend tashmë të shkatërruar nga lufta civile që filloi me shtypjen e protestave pro-demokratike në vitin 2011.
Çelësi i suksesit të rebelëve që nga fillimi i ofensivës javën e kaluar ishte marrja e Alepos, e cila gjatë më shumë se një dekade lufte nuk kishte rënë kurrë plotësisht jashtë kontrollit të qeverisë.
Jolani, udhëheqësi i HTS-së, të mërkurën vizitoi kalanë historike të Alepos, ku pamje të postuara në kanalin e rebelëve në Telegram e tregonin atë duke përshëndetur mbështetësit nga një makinë e hapur.
Ndërsa rebelët hasën pak rezistencë në fillim të ofensivës, luftimet rreth Hamës kanë qenë veçanërisht të ashpra.
Asad urdhëroi një rritje prej 50 për qind të pagave të ushtarëve të karrierës, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA, teksa ai përpiqet të forcojë forcat e tij për kundërofensivën.
Rebelët zmbrapsën forcat e armatosura siriane pavarësisht dërgimit të “kolonave të mëdha ushtarake” nga qeveria, sipas Observatorit.
Observatori raportoi se luftimet të mërkurën ishin afër një zone të banuar kryesisht nga alevitë, ndjekës të të njëjtit drejtim shiit të islamit si presidenti.
“Kundërofensivë e *tokës së djegur”
Rebelët nisën ofensivën e tyre në Sirinë veriore më 27 nëntor, në të njëjtën ditë që hyri në fuqi një armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hezbollahut në Libanin fqinj.
Si Hezbollahu, ashtu edhe Rusia kanë qenë mbështetës të rëndësishëm të qeverisë së Asadit, por kohët e fundit janë zhytur në konfliktet e tyre përkatëse.
Kombet e Bashkuara raportuan të mërkurën se 115,000 persona ishin “zhvendosur rishtazi në Idlib dhe Alepon veriore” nga luftimet. Human Rights Watch paralajmëroi se dhuna “ngre shqetësime se civilët përballen me rrezik të vërtetë abuzimesh të rënda si nga grupet e armatosura opozitare, ashtu edhe nga qeveria siriane.”
Deri javën e kaluar, lufta në Siri kishte qenë kryesisht e heshtur për vite me radhë, por analistët kishin paralajmëruar se dhuna do shpërthente përsëri, pasi konflikti nuk ishte zgjidhur kurrë plotësisht.
Në krye të aleancës rebele është HTS, e cila rrënjët i ka në degën siriane të Al-Kaedës.
“HTS ka pasur shumë kohë, hapësirë dhe burime për t’u organizuar dhe për t’u përgatitur për këtë,” tha analisti Sam Heller nga Instituti amerikan Century Foundation.
“Si do zhvillohet tani konflikti “varet nga aftësia e qeverisë siriane për të rimarrë kontrollin,” tha Heller. “Forcat opozitare që po shtyjnë drejt jugut me shumë gjasa do ndalohen diku në qendër të Sirisë, kur të përballen me rezistencë të vendosur dhe këmbëngulese të mbështetësve të regjimit,” shtoi ai.
“Në këtë pikë, çështja do jetë nëse Damasku ka mjetet për të nisur një kundërofensivë të tipit *‘tokë e djegur’, të cilën mendoj se do donte ta realizonte.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Al-Monitor
*Përdoret për të përshkruar një politikë ushtarake në të cilën të gjitha shtëpitë, të korrat, fabrikat, etj., në një zonë shkatërrohen në mënyrë që armiku të mos mund t’i përdorë ato.