Vendosni fjalën kyçe....

Rriten të ardhurat e bankave nga komisionet


Të ardhurat e bankave nga komisionet janë në rritje për të katërtin vit radhazi. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të 9-mujorit 2024, të ardhurat e sektorit bankar nga zëri i komisioneve dhe gjobave arritën vlerën e pothuajse 14.2 miliardë lekëve ose afërsisht 144 milionë eurove.

Vlera e të ardhurave nga komisionet është rritur me 12.6% krahasuar me një vit më parë dhe ka arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë.

Pasi pësuan një rënie gjatë vitit 2020, rënie e lidhur kryesisht me pandeminë dhe masat kufizuese të marra nga institucionet, nga viti 2021 e në vazhdim të ardhurat nga komisionet kanë shënuar një rritje të vazhdueshme. Kjo rritje reflekton zgjerimin e përdorimit të kanaleve bankare nga publiku, por pjesërisht edhe një tendencë në rritje të vlerës së komisioneve të aplikuara nga bankat.

Deri në mesin e vitit 2024, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se individët dhe bizneset kanë kryer rreth 22.5 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 20.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 3.1 trilionë lekë, në rritje me 7% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2023. Rritja më e vogël e pagesave në vlerë krahasuar me rritjen si numër transaksionesh është e lidhur pjesërisht edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit, që ka ka tkurrur vlerën statistikore të transfertave të kryera në valutë të huaj.

Përveç transaksioneve të pagesave, ndikim në të ardhurat nga komisionet po sjellin edhe produkte t e tjera, duke filluar nga kreditë, që në përgjithësi sjellin për të ardhurat komisione të lidhura me procesimin dhe disbursimin.

Mbështetur në statistikat e pagesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 6-mujorit të parë 2024 bankat kryen në sistem gjithsej 69 551 disbursime të kredive të reja për individët dhe bizneset. Numri i kredive të disbursuara është rritur me 37% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Zgjerimi i të ardhurave nga komisionet është një nga faktorët që ka kontribuuar në përmirësimin e rezultatit financiar të sektorit bankar, megjithëse në dy vitet e fundit efektin kryesor e ka dhënë rritja e normave të interesit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2024 bankat realizuan një fitim neto në vlerën e 27.9 miliardë lekëve, 22% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori bankar shqiptar historikisht ka pasur interesat si burimin kryesor të të ardhurave. Kjo lidhet me faktin që biznesi i bankave mbështetet kryesisht në produkte klasike, si huadhënia apo instrumentet e borxhit financiar. Megjithatë, në vitet e fundit ka një tentativë për të diversifikuar bazën e të ardhurave, me përpjekje për të zgjeruar gamën e shërbimeve.

Shembuj të tillë janë të ardhurat nga komisionet për shitjen e produkteve të sigurimit, nga shërbimet e lidhura me tregtimin e titujve për klientët, nga shërbimet e depozitarit për fondet e pensioneve dhe të investimeve, etj./ E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor